AlbanianSport.com 31.01.2015 13:40
ASNN – Në atë që përbën me të vërtetë një lajm, të paktën për momentin dhe rrethanat, Adnan Januzaj është përfshirë në formacionin bazë të Mançester Junajtid, për ndeshjen e sotme kundër Leister Sitit, që do të luhet në “Olld Traford” dhe është e vlefshme për javën e 23-të të Premier Ligës Angleze.
Ndonëse spekulohet se ylli kosovar mund të largohet nga klubi, trajneri Luis van Gal e ka përfshirë të riun kosovar, që ka zgjedhur të luajë për Belgjikën, në formacionin bazë, ndoshta për të treguar se ka besim tek aftësitë e tij. Në fakt, holandezi i stolit të kuq të “Djajve të kuq”, ka refuzuar çdo ofertë që i ka ardhur për Januzajn.
Pak ditë më pari, u mësua se Van Gali ka marrë vendim për të mos pranuar asnjë ofertë për të riun kosovar me pasaportë belge. Kështu pati pohuar agjenti i lojtarit, Dirk De Vrise, sipas së cilit Januzaj do të largohej po të mos këmbëngulte trajneri i Mançester Junajtid.