AlbanianSport.com 19/10/2018 17:05
ASNN – Valon Behrami tregon për italianët: Linda afër urës së Ibrit në Mitrovicë, atje ku jeta e njerëzve të mi ka qenë një makth. Mesfushori nga Kosova që luan për Udinezen, Valon Behrami, i tërhequr së fundmi nga përfaqësuesja e Zvicrës, ka dhënë një intervistë për mediat italiane, ku ka rrëfyer ndër të tjera një copëz historie nga Mitrovica, pikërisht pranë urës mbi lumin Ibër, atje ku serbët e shqiptarët përplasen çdo ditë dhe ku shqiptarët për vite me radhë para dhe gjatë luftës kanë jetuar me frikën e predhave, bombave dhe dhunës së armikut.
“Kam lindur në Mitrovicë, – thotë Behrami për median italiane, – një vend me të vërtetë i veçantë. Jemi të ndarë nga një urë, nga një anë janë serbët dhe nga tjetra kosovarët. Kam lindur atje, mendoj gjithmonë për atë që kanë duruar prindërit e mi. Plagët e vërteta i kanë ata, ne dëmtohemi por në njëfarë mënyre ngrihemi përsëri në këmbë dhe luajmë përsëri. Kur kthehem t’i takoj, shoh gjithsesi në sytë e tyre se kanë përjetuar diçka që nuk mund të fshihet.”
“Nëse si fëmijë apo adoleshent duhet të arratisesh në male gjatë natës ose dëgjon një predhë që niset dhe nuk di se ku do të bjerë, është e pashmangshme që jeta jote ndryshon, – ka vijuar ai. – Kjo është ajo që kanë përjetuar ata dhe që më bëjnë të jetoj sa herë kthehem atje, të bëjnë të kthehesh te jeta reale.” Më pas, ai ka emigruar së bashku me familjen dhe është sistemuar në Zvicër, por duke qenë i ndërgjegjshë, se racizëm ka dhe në këtë vend të qetë e të zhvilluar evropian.
“Kur shkuam në Zvicër, fillimi ishte i vështirë, – kujton Behrami, – nuk dinim gjuhën, por në vijim u integruam dhe u bë e përditshmja jonë. Kultura e tyre u bë kultura ime.” Por Behrami, ishte sidoqoftë i ndërgjegjshëm se shihej gjithmonë me një sy ndryshe. “Më vinte keq kur në shumë momente ku ne humbnim, sepse sa here humbnim unë isha shqiptari, ndërsa kur fitonim ishim të gjithë zviceranë, – ka rrëfyer ai. – Ka pasur gjëra të vogla që më kanë vrarë.”
“Por nuk mund të provoj gjëra negative për një komb që më ka dhënë të gjithë atë qa kam pasur në futboll dhe si njeri”, përfundoi mesfushori me origjinë kosovare. Behrami do të mbahet mend gjatë, sepse ishte i pari futbollist i kombëtares së Zvicrës dhe i pari shqiptar që luajti në katër botërorë radhazi (Gjermani-2006, Afrikë e Jugut-2010, Brazil-2014 dhe Rusi-2018), diçka që e kanë arritur deri tani vetëm ikonat si Mesi, Ronaldo dhe disa prej emrave të shquar të futbollit.