Gjergj Vyshka 16.12.2016 07:05
Volejbolli i harruar, volejbolli i braktisur, volejbolli i masakruar në këto 26 vjet demokraci. Kaq mjafton për të kuptuar se ata që kanë derdhur djersë dhe kanë dhënë rininë për të ngritur lart emrin e sportit të rrjetës ndihen keq. Ndihen keq, sepse kështu groposet i gjithë mundi i tyre, por dhe i trajnerëve që i kanë stërvitur, ndërsa gjithçka e mirë po vishet me pluhurin e harresës.
E kujtohet vetëm nga ata që janë nostalgjik për shumë brezash lojtarësh. Shaban Uka, Mjeshtri i Merituar i Sportit, është pjesë e artë e historisë së Dinamos së volejbollit të meshkujve, e cila po bën dekadën e shuarjes së krejt shumësportëshit blu. Baza e prishur, klubet në shuarje, mungesa e elementëve lojtarë-trajnerë apo gjithçka tjetër që e kanë lënë këtë sport prapa në krahasim me Evropën e bëjnë mjeshtri Uka të reagojë.
“Volejbolli është i harruar dhe mbështetja e shtetit duhet të kishte vazhduar për këtë sport dhe jo të braktisej në këtë mënyrë, – ka thënë ai. Nisur nga ndeshja e parë e Studentit në “Challenge Cup” me Zirat Bankasi Ankara, 0-3 në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, por dhe i gjithë niveli i volejbollit shqiptar e bëjnë mjeshtrin Uka “të vërë gishtin në plagë”.
Karriera e Shaban Ukës:
1975-1993 Dinamo
1993-1995 Shkëndija e Tetovës, Liria e Zherovjanit
1996 Dinamo
Si trajner: Partizani, Dinamo (Meshkuj dhe Femra)
Trofetë: 13 tituj kampion i Shqipërisë, 10 Kupa të Shqipërisë, 2 Medalje Ari në Spartakiadat Kombëtare
Titujt: Mjeshtër Sporti, Mjeshtëri i Merituar i Sportit, Nderi i Sportit Shqiptar, Urdhri “Naim Frashëri”, Medalja “Naim Frashëri”, Mjeshtër i Madh nga Presidenti i Republikës.
Anketa: Dy herë fituesi i “10 Sportistëve Më Të Mirë Të Vitit” dhe në “6 Sportistët e Shekullit”.