AlbanianSport.com 11/11/2020 19:30
ASNN – Jo më kot, edhe ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata, duke analizuar fitoren 2-1 në miqësoren ndaj Kosovës, e evidentoi Myrto Uzunin si njeriun e ndeshjes. Në fakt, beratasi zhvilloi një paraqitje shumë të mirë në miqësoren ndaj Kosovës, duke dhënë pasimin për golin e parë dhe duke shënuar të dytin. Pas përfundimit të ndeshjes, futbollisti kuqezi, u shpreh se është i lumtur për golin, por më shumë është i lumtur që kaloi situatën e vështirë pas infektimit me virusin “korona”.
“Goli më kishte munguar, por mund të them se ndihem mirë që e kalova situatën e vështirë pas virusit korona, – ka deklaruar ai. – Nuk jam 100%, pro mendoj se bëra mirë në krahun e majtë, kjo na dha rezultatin sot.” Në fakt, kjo paraqitje me fanellën kuqezi erdhi pas një tjetër paraqitjeje të shkëlqyer në fundjavë me Ferencvaroshin në Hungari, ku ai dha pasimin për dy golat e parë dhe realizoi golin e 3-të në fitoren e skuadrës së tij në takimin e radhës në kampionat.
“Kalimi te Ferencvarosh? Kam kaluar te një ekip më i fortë dhe jam rritur shumë, – ka pohuar 25-vjeçari. – Ndeshjet e radhës? Duhet të mendojmë fortë për ndeshjen e parë në Ligën e Kombeve, për të marrë më të mirën.” Ndërkaq, në një lidhje nga Skocia në emisionin “Ëndërr Kuq e Zi”, në Rrjetin e Radio-Televizionit shqiptar, ish-kapiteni Vata ka deklaruar: “Diferenca e të dyja skuadrave sot ishte Uzuni. Kishte grintë dhe dinamizëm. I “kanë ngrënë hakun” në aspektin e mobilizimit dhe angazhimit.”
“Mendoj që ishte njeriu i ndeshjes, – ka vijuar shkodrani. – Ka rritur paraqitjen e tij si lojtar me lëvizjen te Ferencvaroshi. Kam pasur dyshimet e mija, sepse ka qenë një lojtar që luante me kokën poshtë. Paraqitja e tij e ka vënë në vështirësi Rejën. Është guximtar dhe ka uri. Shpresoj që të gjithë lojtarët të kenë të njëjtën uri. Mendoj që me asistit dhe golin do ta risin më shumë si lojtar. Mendoj se ishte një ndeshje e barabartë. Fitore e merituar e Shqipërisë, do t’i shërbejë për 2 ndeshjet e ardhshme.”