AlbanianSport.com 02.06.2016 15:25
ASNN – Klubet e Kosovës nuk do të marrin pjesë në Kupat e Evropës, pasi UEFA ka deklaruar se infrastruktura e tyre nuk plotëson kushtet. Kështu, edhe pse e pranoi shtetin e ri si anëtare të saj, UEFA nuk ia dha plotësisht të drejtat.
Kjo do të thotë se Ferronikeli “kampion” dhe Prishtina fituese e Kupës nuk munden të realizojnë një ëndërr kaq të madhe si debutimi, përkatësisht në turet eliminatore të Ligës së Kampioneve dhe atyre të Ligës së Evropës.
Këtyre skuadrave ndoshta nuk do t’i buzëqeshë fati në vitin 2017. Sezonin e ardhshëm emrat fitues të veprimtarive të Kosovës mund të jenë të tjerë. UEFA e bazoi vendimin e saj në faktin që infrastruktura e futbollit kosovar është e rrënuar pas shumë vitesh izolimi, lufte dhe mosinvestimi, ndaj do të duhet shumë kohë që ajo të plotësojë kushtet.
Ekziston mundësia që ky të ketë qenë edhe një kompromis mes lobeve të ndryshëm, tashmë që Kosova realizoi arritjen më të madhe të synuar për shumë vite, anëtarësimin në UEFA dhe në FIFA. Sidoqoftë, debutimi i skuadrave kosovare në garat kontinentale është vetëm çështje kohe.