AlbanianSport.com 09.04.2015 07:05
ASNN – Organizmi që qeveris futbollin kontinental, UEFA, ka dëshmuar edhe një herë se koncepti i “Fair Play”-it” apo lojës së ndershme është thjesht një slogan që përdoret sa për sy e faqe dhe jo një parim që ndiqet prej saj.
Kjo sepse Komisioni i Disiplinës në UEFA nuk ka dalë nga parashikimet duke i dhënë fitoren 3-0 në tavolinë përfaqësueses ruse për ndeshjen me Malin e Zi, të ndërprerë në minutën e 69-të për shkak të dhunës së tifozerisë vendase.
Disiplinori i UEFA-s ka vendosur gjithashtu që kombëtarja e Malit të Zi të luajë pa tifozë ndeshjen e ardhshme dhe gjobiti federatën e futbollit të këtij shteti me 50 mijë euro për sjelljen e dhunshme të tifozëve vendas në stadiumin e Podgoricës.
Nuk i ka shpëtuar dënimit edhe federata ruse e cila është gjobitur me 25 mijë euro për sjelljet jo korrekte të tifozëve të saj. Institucioni më i lartë i futbollit evropian tregoi edhe njëherë se komisionet e tij veprojnë me dy standarde për çështje të ngjashme.
I mbylli sytë para dhunës se tifozëve serbë ndaj lojtarëve të përfaqësueses tonë në stadiumin e Beogradit dhe i mohoi fitoren në tavolinë kombëtares shqiptare, ndërkohë që i dha atë që meriton federatës ruse, e cila është shumë herë më e madhe dhe me më shumë influencë se e jona kur vjen koha e zgjedhjeve në UEFA.