AlbanianSport.com 03/12/2018 17:00
ASNN – Merret vendimi nga UEFA: “VAR” në Ligën e Kampioneve që nga muaji shkurt, vetëm Anglia mbetet jashtë teknologjisë. UEFA ka marrë një vendim të rëndësishëm në lidhje me aplikimin e teknologjisë “VAR” (Ndihmës-gjyqtarit të Videos – Video Assistant Referee) në Ligën e Kampioneve duke nisur nga duelet me eliminim direkt që luhen në vitin 2019.
Në fakt, ishte caktuar që teknologjia në fjalë në këtë veprimtari të përdorej sezonin e ardhshëm, domethënë pas shtatorit të vitit 2019, por disa gabime të gjyqtarëve dhe njëherësh mangësi në interpretim, sollën si domosdoshmëri që UEFA të reflektojë për këtë çështje dhe të vendosë aplikimin e VAR-t që në edicionin aktual, në fazën e eliminimit direkt
“Teknologjia (Video Assistant Referee – VAR) do të përdoret nga faza e eliminimit direkt në Ligën e Kampionëve dhe Evropa Ligën këtë sezon, si dhe në finalet e Ligës së Kombeve vitin e ardhshëm”, – ka informuar UEFA në faqen e saj. Tani, i vetmi vend që nuk e aplikon ende VAR-in, nga kampionatet elitare evropiane, është Premier Liga Angleze.
Vendi shpikës i futbollit botëror vijon t’u jetë besnik akoma “xhaketave të zeza”, megjithëse në vendet e tjera me kampionat të fortë, si në Gjermani, Itali dhe Spanjë, VAR po aplikohet gjerësisht në ligat e para dhe në finalet e rëndësishme.