AlbanianSport.com 31/03/2019 16:20
ASNN – Nuk do të ketë më abuzime me çmimet e biletave nga skuadrat pjesëmarrëse në Ligën e Kampioneve. UEFA do të vendosë në maj një listë me çmimet “tavan” për të gjitha skuadrat. Shembull u mor Barcelona që ka vënë çmime të larta për tifozët e Mançester Junajtid, deri në 115 euro për hyrjen e tyre në “Kamp Nou”, për ndeshjen e ardhshme midis tyre në Ligën e Kampioneve.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, mori pjesë në Asamblenë e Shoqatës së Klubeve Evropiane (ECA), i ftuar nga Andrea Ajnelli, president i këtij organizmi. Në takimin e Amsterdamit u diskutua jo vetëm Botërori I Klubeve, por u ra dakort gjithashtu që të kufizoheshin edhe çmimet e biletave në Ligën e Kampionëve. Të gjitha ekipet që luajnë në këtë veprimtari, duhet të angazhohen për të respektuar një politikë çmimesh, në mënyrë që të shmangin rritjen e tepruar të biletave.
Për shembull, Barcelona nuk veproi mirë pasi ka publikuar çmimet e ndeshjes së ardhshme me Mançester Junajtid. Klubi dhe tifozët anglezë protestuan për çmimet e larta. Barcelona ka kërkuar deri në 115 euro për hyrjen e tifozëve anglezë. Kanë qenë këshilltari i Milanit, Gazidis dhe ai i Ajaksit, Van Der Sari, që i kanë kërkuar ECA-së dhe Çeferinit që të ndërhyjë për të ndaluar këtë gjë.
Duke parë këtë situatë, UEFA do të miratojë në maj “tavanin” e çmimeve të biletave, të cilat do të jenë të detyrueshme për të gjitha klubet pjesëmarrës në Ligën e Kampioneve. “Do të ketë një tabelë të çmimeve maksimale nga edicioni i ardhshëm i Ligës së Kampioneve, – ka deklaruar Çeferini. – Të gjithë ata që dëshirojnë të luajnë në këtë veprimtari duhet ta zbatojnë atë”.