AlbanianSport.com 02.02.2017 15:15
ASNN – Organizmi që qeveris futbollin kontinental, UEFA, shpërblen me mijëra euro 641 klubet e futbollit nga e gjithë Evropa, futbollistët e të cilëve morën pjesë me përfaqësueset përkatëse në Eliminatoret dhe në fazën finale të Kampionatit Evropian “Francë 2016”.
Midis këtyre janë shpërblyer edhe 4 klubet e Kategorisë Superiore në Shqipëri. Bëhet fjalë për Skënderbeun, Partizanin, Flamurtarin dhe Tiranën, skuadra të cilat kishin futbollistë që u grumbulluan dhe luajtën me ekipin kombëtar gjatë ndeshjeve eliminatore dhe ato finale të “Euro 2016”-ës.
Sipas raportit të publikuar në faqen zyrtare të UEFA-s në Internet, Partizani është klubi që ka përfituar më shumë, 129 mijë e 103 euro. Më pas, vjen Skënderbeu me 119 mijë e 945 euro, Tirana me 46 mijë 122 euro dhe Flamurtari me 37 mijë e 756 euro. Fondi i UEFA-s në total për 641 klube nga 54 federatat pjesëmarrëse ishte 150 milionë euro, 100 për fazën finale në Francë dhe 50 për Eliminatoret.