AlbanianSport.com 09/08/2020 20:55
ASNN – Organizmi që qeveris futbollin kontinental, UEFA, ka përditësuar pak më parë edhe ndarjen e vazove për shortin që do të hidhet ditën e diel, në orën 12:00 për turin e parë eliminator të veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të kontinentit, Ligës së Kampioneve.
Kampionia e Shqipërisë e Tirana e nis nga ky tur aventurën e saj kontinental dhe UEFA ka përzgjedhur katër kundërshtarë të mundshëm të bardhebluve në shortin që do të hidhet të dielën në Nion të Zvicrës. Dhe do të jetë një sfidë lindore ajo me të cilën do të përballen kampionët e Shqipërisë.
Kështu, janë kampionia e Kazakistanit, Astana, kampionia e Azerbajxhanit, Karabagu, kampionia e Izraelit, Makabi e Tel Avivit, dhe kampionia e Gjeorgjisë, Dinamo e Tbilisit, ekipet që do të jenë pengesa e bardhebluve në përpjekjen për të kaluar në turin tjetër të kësaj veprimtarie.
në letër, të katërta janë favorite kundrejt Tiranës, por një sfidë me kampionen e Gjeorgjisë duket më e pranueshme që bardheblutë të shpresojnë për më tej. Kujtojmë që edicionin e kaluar Partizani u përball me azerët e Karabagut dhe ky klub tashmë është sërish një kundërshtare e mundshme për kampionen e Shqipërisë.