ASNN – Për të dytën herë brenda 3 javësh, në qytetin e Elbasanit ka mbërritur një inspektor i UEFA-s, për të parë ecurinë e punimeve në Stadiumin që i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë.
I shoqëruar nga zyrtarët dhe stafi i Federatës Shqiptare të Futbollit, gjermani Ferdinant Mese, ka inspektuar punimet që po bëhen në Stadium, duke u fokusuar në masat e sigurisë që do të ofrojë “Elbasan Arena” pas përfundimit të punimeve.
Përfaqësuesi i organizmit që qeveris futbollin evropian nuk ka pranuar të flasë për mediat shqiptare, por zyrtarët e FSHF-së kanë shprehur besimin e tyre se stadiumi i rindërtuar do të jetë gati për të pritur ndeshjen e dytë të Kombëtares në kuadër të Eliminatoreve të Evropianit të 2016-s.
Kapaciteti i ri i stadiumit do të jetë 12,500 vende të ulura, ndërsa ai do ketë pistë tartani, me gjashtë korsi vrapimi. Është rikonstruktuar totalisht fusha, anësoret dhe përkarshi, ashtu sikundër janë ndryshuar totalisht mjediset e brendshme, dhomat e zhveshjes dhe tualetet, ndërsa para stadiumit do të ketë parkim për 400 automjete.