AlbanianSport.com 19.05.2016 21:15
ASNN – Sikundër është zyrtarizuar, pasardhësi i Mishel Platinisë në fronin e futbollit evropian do të zgjidhet më 14 shtator, me veteranin holandez, Mikael Van Praag, si favoritin kryesor sipas sondazheve. Organizmi që qeveris futbollin kontinental, UEFA, zyrtarizoi datën e procesit të votimit në një kongres të jashtëzakonshëm, pas muajve të verës, ku do të zgjedhë presidentin e ri deri në mars të vitit 2019, kohë kur përfundon edhe mandati që francezi la në mes për shkak të dënimit të tij.
Qeveria e futbollit kontinental është pa një president që prej muajit tetor i vitit të shkuar, kur FIFA e pezulloi Platininë për një pagesë të dyshimtë, dhe mesi i shtatorit konsiderohet periudha më e mirë zgjedhore. Kjo pritet t’u japë mundësi kandidatëve potencialë që të shpalosin platformat e tyre dhe të bëjnë një fushatë të denjë për postin që aspirojnë.
Holandezi Mikael Van Praag, i cili drejton prej vitesh federatën e futbollit të tulipanëve, ishte një kandidat për presidencën e FIFA-s para se të braktiste garën. Por, tashmë në moshën 68-vjeçare, ai do të kërkojë të ngrejë pretendimet në një stad të ri. Kandidatë të tjerë që përfliten për UEFA-n, janë spanjolli Angel Villar Llona, ish-golashënuesi i Kroacisë dhe Realit të Madridit, Davor Shuker, dhe kreu i federatës sllovene, Aleksander Ceferin.