Marrë nga ABC News 02.08.2015 07:05
Tolerante në Beograd dhe Podgoricë, e pamëshirshme me Kukësin në Tiranë. Nuk mjaftoi Ajo goditje e portierit Akinfejev, që gjyqtari të ndërpriste ndeshjen Mali i Zi-Rusi. Ishte pak dhuna ndaj lojtarëve shqiptarë në Beograd që gjyqtari t’i jepte fund përballjes Serbi-Shqipëri. Por mjaftoi një gur në kokën e polakut Duda që gjyqtari të mos lejonte vazhdimin e takimit Kukësi-Legia e Varshavës. Nga tetori i 25014-tës deri në korrik të 2015-tës, njerëzit e UEFA-s kanë përdorur dy standarde në tri situata të ndryshme.
Në 27 mars të këtij viti, gjyqtari gjerman Deniz Ajtekin, e ndërpreu ndeshjen 35 minuta pasi portieri rus, Akinfejev, u godit me një fishekzjarr dhe rrezikoi seriozisht që në minutën e parë të takimit eleminator të Europianit në stadiumin e Podgoricës. Ajtekin, gjithsesi, i ktheu në fushë Rusinë dhe Malin e Zi, edhe pse trajneri i rusëve, Fabio Kapelo, ishte kundër. Vetëm në mesin e pjesës së dytë, Ajtekin u bind ta braktiste përballjen, kur u godit me çakmak lojtari tjetër rus, Dimitri Kombarov.
Tifozët u sollën shumë keq edhe në atë ndeshje, me parulla të ndryshme, dhe me ata rusë që dogjën flamurin e NATO-s. UEFA thjesht vendosi fitoren 3-0 të Rusisë në tavolinë, gjobiti 50 mijë euro Malin e Zi dhe e detyroi atë ta luante pa tifozë ndeshjen e radhës në fushën e tij. Në 14 tetor, në Beograd, një dhunë e pashembullt u ushtrua mbi lojtarët e kombëtares shqiptare, ndërsa më parë racizmi kishte sunduar në stadium dhe fishekzjarrë ishin hedhur në fushë.
Gjyqtari anglez Atkinson, e kishte ndërprerë ndeshjen përpara shfaqjes së dronit në qiell, ndërsa rrahja e lojtarëve miq nuk e bindi atë që t’i jepte fund takimit, përkundrazi gjykoi se mund të vazhdohej. Ashtu si Kapelo i Rusisë, edhe kapiteni i Shqipërisë, Cana, kërkoi që ndeshja të mos vazhdonte, dhe shqiptarët nuk dolën më në fushë. UEFA ia dha Serbisë 3-0 në tavolinë atë ndeshje eleminatore të Europianit, madje në të dyja shkallët e gjykimit.
U desh vendimi i Këshillit të Arbitrazhit Sportiv që Shqipëria të merrte fitoren që i takonte. Këta janë precedentët që tregojnë se Kukësi thjesht duhet ta humbasë ndeshjen 0-3 në tavolinë dhe të marrë një gjobë, por asgjë më shumë. Gjyqtari zviceran, Shtefan Klosner, u tregua shumë më pak zemërgjerë sesa dy kolegët e tij, të caktuar po nga UEFA, duke mos i dhënë kuksianëve një shans të dytë për të vazhduar ndeshjen.
Pritet vendimi i së hënës dhe, nëse dënimi do të ishte më i rëndë se për Malin e Zi dhe Serbinë, atëherë përdorimi i dy standardeve do të ndodhte për herë të dytë.