AlbanianSport.com 11.11.2014 19:40
ASNN – Ndeshja e ndërprerë e 14 tetorit midis Serbisë dhe Shqipërisë, do të luajë më 2 dhjetor “pjesën e saj” të 3-të, pasi kjo është data e mbledhjes së Komisionit të Apeli në UEFA për shqyrtimin e pretendimeve të palëve për vendimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës.
Nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare në Internet të Federatës Shqiptare të Futbollit, thuhet se organizmi më i lartë i futbollit evropian, UEFA, i ka dërguar FSHF-së sot, më datën 11 nëntor, njoftimin se Komisioni i Apelit në lidhje ndeshjen e ndërprerë Serbi-Shqipëri, do të mblidhet më datë 2 dhjetor 2014.
Ditë më parë, Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë UEFA, ka dhënë vendimin e tij në lidhje me këtë ndeshje. Ky vendim i argumentuar, ka mbërritur ditën e premte pasdite në Tiranë.
Federata Shqiptare e Futbollit, nëpërmjet tre studiove ligjore (shqiptare, zvicerane dhe angleze) që e përfaqësojnë do të kërkojë ndryshimin e vendimit të shkallës së parë në mbledhjen e Komisionin e Apelit, që do të zhvillohet më datë 2 dhjetor në Nion të Zvicrës.