AlbanianSport.com 02.12.2014 11:35
ASNN – Është mbledhur sot Komisioni i Apelit i organizmit që qeveris futbollin evropian, UEFA, i cili po diskuton çështjen e ndeshjes së ndërprerë të 14 tetorit Serbi-Shqipëri. Gjithçka ka nisur në orën 09:00, ku Apeli po merret me dëgjimin e dy palëve, proces që normalisht vazhdon për disa orë.
Kjo për arsye se dosjet e secilës palë përmbajnë rreth 1,000 faqe. Ndërkohë, ekziston konfuzioni përsa i përket shpalljes së vendimit të nga Komisioni i Apelit. Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare e Futbollit, Ilir Shulku, ka pohuar për AlbanianSport.com se vendimi i Apelit mund të shpallet që sot, por shton se kjo nuk është e sigurt.
Ndërkaq, mediat serbe, duke iu referuar informacionit që sipas tyre është dhënë nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Serbe të Futbollit, Zoran Lakoviç, kanë shkruar se vendimi pritet të jepet nga brenda periudhës 20-25 dhjetor. FSHF ka deklaruar se Shqipëria do të kërkojë 3 pikët në tavolinë për ndeshjen e 14 tetorit.
Sipas zyrtarëve të futbollit shqiptar, suksesi në Apel do të bazohet te pamjet filmike para, gjatë dhe pas ndeshjes, brenda fushës së blertë, por edhe jashtë saj, si edhe kontradiktave në relacionet e gjyqtarëve dhe delegatëve. Ndërkaq, Federata Serbe kërkon riluajtjen e ndeshjes në fushë asnjanëse.
Nëse FSHF-ja nuk do të mbetet e kënaqur nga vendimi i Apelit, do ta çojë çështjen në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv, në Lozanë të Zvicrës.