AlbanianSport.com 15.08.2016 14:25
ASNN – Majkëll Van Prag është një nga kandidatët për president të UEFA-s. Në zgjedhjet që do të bëhen në 14 shtator në Athinë, presidenti aktual i futbollit holandez, do të mbrojë platformën e tij me disa ndryshime të rëndësishme. Për këtë ai ka ardhur edhe në Tiranë ku ka takuar presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe atë të Kosovës, Fadil Vokrri.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka pritur të hënën Presidentin e Federatës Holandeze të Futbollit, Majkëll Van Prag. Ai është një nga kandidatët për president të UEFA-s dhe ka ardhur në Shqipëri për të shpalosur platformën e tij. “Arsyeja pse kam zgjedhur të bëhem president i UEFA-s është se dua të rregulloj disa gjëra të cilat kanë shkuar gabim deri tani”, – ka thënë ai.
“Duke filluar me sistemin e drejtësisë, me komisionet e disiplinës e apelit. Në komitetin ekzekutiv të UEFA-s, duhet të jenë presidentë të Federatave anëtare, të cilët do të japin kontributin e tyre në ecurinë e UEFA-s, – vijoi holandezi. – Gjithashtu Presidenti i UEFA-s dhe anëtarët të kenë një mandat deri në 12 vjet, e jo më shumë.” Një pikë tjetër e rëndësishme në platformën e Van Pragut, ishte edhe shpërndarja e fondeve të UEFA-s, për federatat anëtare të saj.
“Fondet e UEFA-s duhet të ndahen në mënyrë më të zgjuar, – ka pohuar ai. – Nuk duhet të marrin të gjitha federatat njësoj. Për shembull, Federata Holandeze është e pasur, ka terrene dhe infrastrukturë të zhvilluar. Ndërsa ajo e Kosovës është në fillimet e saj. Pra nuk ka se si të dyja këto federata të marrin të njëjtin fond nga UEFA.” Në takimin e zhvilluar në Federatën Shqiptare të Futbollit, midis presidentit Duka e kandidatit për president të UEFA-s, Majkëll Van Prag, ishte i pranishëm edhe presidenti i Federatës Kosovare të Futbollit, Fadil Vokrri.