AlbanianSport.com 20.06.2016 07:45
ASNN – UEFA ka sjellë lajmin zyrtar përsa i përket pjesëmarrjes së klubeve shqiptare në Kupat e Evropës. Skënderbeu, Kukësi, Partizani dhe Teuta do të jenë pjesë e shortit të ditës së hënë për ndeshjet që do të luhen në turin e parë eliminator të Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Evropës.
Njoftimi zyrtar i UEFA-s ka mbërritur në Federatën Shqiptare të Futbollit, e cila njoftohet se këto janë katër ekipet shqiptare që do të marrin pjesë në kupat e Evropës, duke qartësuar situatën edhe për skuadrat që shpresonin për më shumë, Partizani dhe Tirana.
Sa i përket situatës së Skënderbeut, i cili pret vendimin përfundimtar të CAS-it brenda datës 6 korrik, do të proçedohet në këtë mënyrë: Edhe nëse në datën 5 korrik Skënderbeu dënohet, kundërshtari që do të jetë përballë tij në short do të kualifikohet direkt në turin e dytë eiminator të Ligës së Kampioneve.
Ndërsa treshja Partizani-Teuta-Kukësi do të vazhdojnë normalisht në Ligën e Evropës. Pra, këto katër ekipe deri ditën e hënë në orën 12:00 duhet të kenë dorëzuar listën zyrtare të lojtarëve për dy ndeshjet e para eliminatore.