AlbanianSport.com 25.09.2015 09:50
ASNN – UEFA duket natyrshëm e shqetësuar për ndeshjen Shqipëri-Serbi dhe Oficeri i saj i sigurisë takohet në FSHF dhe viziton “Elbasan Arena”. Frika se në ndeshjen Shqipëri-Serbi mund të ketë probleme ka vënë në lëvizje edhe UEFA-n. Organizmi që qeveris futbollin kontinental është e shqetësuar dhe për këtë arsye ka sjellë në Tiranë, Keni Skotin, një nga emrat më të mëdhenj sa i përket oficerëve të sigurisë në ndeshjet e futbollit.
Britaniku, i cili është drejtor i kompanisë “Sport Safety Solution” që bashkëpunon prej kohësh me UEFA-n, është takuar në mjediset e Federatës Shqiptare të Futbollit me drejtues të saj, përfaqësues të lartë të Policisë së Shtetit, Ambasadorin serb në Tiranë dhe një prej oficerëve të sigurisë të Federatës Serbe të Futbollit. Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa palët nuk pranuan të japin asnjë prononcim në lidhje me çfarë u bisedua.
Gjithsesi, prania e Keni Skot, të cilit më parë i janë besuar nga UEFA ndeshje me rrezikshmëri të lartë në gjithë Evropën, por edhe sfida të rëndësishme si disa finale të Ligës së Kampioneve shpreh qartë shqetësimin e UEFA-s për përballjen e 8 tetorit 2015 në eliminatoret e “Euro 2016”-s. Pas takimit në FSHF, oficeri i sigurisë së UEFA-s ka udhëtuar drejt Elbasanit. I shoqëruar nga zyrtarë të Federatës, Skot ka parë në terren kushtet në impiantin ku do të zhvillohet ndeshja.
Kjo ka patur për qëllim që ai të krijojë ide më të qarta për masat që do të merren për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri-Serbi. Kjo sfidë mori ngjyrime të tjera pas dhunës ndaj kombëtares shqiptare në përballjen e shkuar, të luajtur në Beograd. Për këtë arsye masat e sigurisë për ndeshjen e ardhshme do të jenë të mëdha. Afërsisht një mijë forca të policisë do të angazhohen për të evituar problemet brenda dhe jashtë stadiumit “Elbasan Arena”.
Me afrimin e kësaj përballjeje janë intensifikuar edhe takimet mes drejtuesve të federatës dhe atyre më të lartë të policisë që do të kalojnë në sitë emrat e gjithë tifozëve që janë pajisur me biletë.