AlbanianSport.com 05.10.2015 17:55
ASNN – Komisioni i Disiplinës vendos me 15 tetor për ndeshjen Lokomotiva-Skënderbeu. Komisioni i Disiplinës në UEFA do të vendosë më 15 tetor në lidhje me koret raciste të tifozëve rus në ndeshjen e Ligës së Evropës mes Lokomotivës së Moskës dhe Skënderbeut.
Kjo sfidë u ndërpre për disa momente, kur tifozët vendas nisën të thërrisnin “Vritini Shqiptarët” dhe “Kosova është Serbi”. Për këto kore, UEFA nisi një hetim disiplinor dhe Komisioni përkatës do të vendosë më 15 tetor. Lokomotiva e Moskës rrezikon përveç gjobës edhe luajtjen e një ose më shumë ndeshjeve pa tifozët e saj në grupet e Ligës së Evropës.
Kështu, UEFA ka bërë të ditur ditën kur do të marrë në shqyrtim çështjen e racizmit ndaj Skënderbeut që ndodhi në sfidën e 1 tetorit me Lokomotivën në Moskë. Komisioni i Disiplinës dhe Etikës i këtij organizmi pritet të mblidhet më 15 tetor. Koret raciste janë dëgjuar dhe shënuar nga i dërguari i organizimit evropian të futbollit.
Ultrasit e Lokomotivës thërrisnin në gjuhën serbe, “vrisni shqiptarët” dhe “Kosova është Serbi”, duke kujtuar ngjarjet e Beogradit ku përfaqësuesja jonë u shoqërua gjatë të gjithë kohës para, gjatë dhe pas takimit me Serbinë. Sipas rregullores së UEFA-s, Lokomotiva e Moskës rrezikon mbylljen e disa tribunave të stadiumit.
Dhe, nëse kjo përsëritet, mund të mbyllë dyert për të gjithë në takimin e radhës dhe të gjobitet klubi organizator. Tani radhën e ka Komisioni i Disiplinës së UEFA-s, që të shqyrtojë çështjen.