AlbanianSport.com 29.07.2015 07:55
ASNN – Fitorja e Skënderbeut ka qenë edhe në fokus të titullit të artikullit që faqja zyrtare në Internet e organizmit që qeveris futbollin evropian, UEFA, i ka kushtuar 9 ndeshjeve të para, të luajtura mbrëmë, të vlefshme për turin e tretë të veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të kontinentit.
Në përmbledhjen që i ka bërë mbrëmjes, të cilën e titullon “Monako dhe Skënderbeu, në pozicion të favorshëm për “play-off”-et, UEFA.com shkruan se “Monako and Skënderbeu fituan me dy gola epërsi në fushë të huaj, në mbrëmjen ku u luajtën 9 ndeshje të para të turit të tretë eliminator, ku fitore korrën edhe APOEL-i i Nikozisë, Panathinaikosi dhe Viktoria e Plzenjit”.
“Monako, çerekfinaliste e sezonit të shkuar, triumfoi 3-1 në fushë të huaj ndaj Jang Bojs, ndërsa Skënderbeu, që fitoi 2-0 në fushën e Milsami Orheit, nuk ka arritur kurrë më parë në “play-off”-et e Ligës së Kampioneve”, – vijon më tej shkrimi i faqes zyrtare të UEFA-s në Internet.
Ndërsa në raportin e shkurtër të ndeshjes Milsami-Skënderbeu 0-2, UEFA.com shkruan: “Skënderbeu është në rrugë të mbarë për t’u bërë e para skuadër shqiptare që arrin në fazën e “play-off”-eve të Ligës së Kampioneve, pasi një dygolëshi të Hamdi Salihit”.
“Këto dy gola kanë mjaftuar ndaj vendasve, që kishin mposhtur një tur më parë Ludogorecin e Razgradit, dhe që shkuan dëm raste për shënim në fillim me Artur Patrashin and Kristian Budin, – vijon më tej UEFA.com. – Pasimi i Liridon Latifit i dha mundësi Salihit të finalizonte si një ekspert pas 49 minutash lojë.”
“Sulmuesi i përfaqësueses së Shqipërisë e dyfishoi numrin personal të golave dhe epërsinë e Skënderbeut nga pika e bardhë, pasi Ovje Shedrak u ndëshkua për prekjen e topit me dorë brenda zonës”, – përfundon faqja zyrtare në Internet e organizmit që qeveris futbollin evropian.