Gjergj Vyshka 11.03.2015 07:55
Udineze dhe Internacional. Ky është binomi i ri që ka lindur së fundmi, që do të thotë binjakëzim i dy akademive të futbollit, në Itali dhe në Shqipëri, me qëllimin e mirë të shtimit të të rinjve në futboll, të marrjes së talenteve të tyre për të kaluar më tej dhe sjelljes së fitimeve për klubin shqiptar. Ky është projekti i ri, i cili dje është prezantuar nga Xhino Gargano, si përfaqësues i Udinezes në Shqipëri, dhe Ervin Canollari, presidenti i Akademisë së Futbollit “Internacional” në Pezë-Helmës.
Nëpërmjet një konference për shtyp, e cila është bërë dje në mesditë në mjediset e Hotel “Rogner” në Tiranë, Canollari ka treguar se çfarë është bërë deri më tani në atë Akademi dhe çfarë parashikon lidhja me Udinezen, e cila pritet të firmoset dhe të marrë udhë më zyrtarisht në prill, atëherë kur në kryeqytetin tonë do të vijnë përfaqësuesit e klubit të njohur në Itali. “Duke parë mungesën e një Akademie të mirëfilltë futbolli, menduam që në bashkëpunim me klubin e njohur italian të Udinezes të krijojmë një lidhje serioze”, – ka thënë Canollari.
“Unifikuam idetë së bashku me klubin italian, i cili ka folur me superlativa për terrenin që ne kemi ndërtuar në Pezë-Helmës, i cili në 124 akademi që ka në gjithë botën vetëm me dy vende mund ta krahasonin këtë që kemi ne sot, – ka vijuar ai. – Ideja e kontratës është që të rinjtë tanë të merrem me më shumë sport dhe me më pak ilaçe. Pjesa e Akademisë e ndërtuar prej nesh i realizon të gjitha objektivat, ndërsa fushat janë me 2 yje sipas parametrave të kërkuara nga FIFA.”
“Mos harroni që brenda verës aty do të përfundojnë dy fushat e futbollit, do të ndërtohen dy fushat e kalçetos, do të jenë të gjitha pajisjet për masazh, pishina, sauna, banjo turke e gjithçka tjetër që nevojitet për krijimin e një akademie futbolli, , – ka theksuar presidenti i Akademisë së Futbollit “Internacional” në Pezë-Helmës. – Sot ne kemi licencën për të bërë ndeshjet e Kategorisë së Parë, ndërsa kemi dhe një skuadër, e cila është në prag të kalimit në Kategorinë e Dytë. Por mendoj se me binjakëzimin me Udinezen do të kemi mundësi për më shumë.”
Sipas kontratës përpiluar parashikohet që 4-8 herë në vit trajnerët e Akademisë së futbollit Udineze të jenë në Tiranë për të bërë trajnim me ekipet e Akademisë së futbollit Internacional. “Ne parashikojmë, – thotë Canollari, – që në qershor të zhvillojmë dhe “Udinese Camp Junior”. Madje shumë shpejt do të bëjmë dhe një seleksionim me të gjitha grupmoshat, ashtu sikurse bëhet me ekipet kombëtare. Shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë.”