Gjergj Vyshka 08.11.2014 07:55
Kampionët rrëfejnë ndeshjen e parë në “Challenge Cup”, të luajtur të mërkurën. Trajneri Tomorri: Salla ishte e ulët dhe 5-6 pikë i kemi humbur nga topi në tavan. Udhëtim rraskapitës, ndërsa Studenti, kampionia e Shqipërisë në Volejboll për meshkuj, ka bërë 2600 kilometra vajtje-ardhje me autobus nga Tirana në Kaposvar, atje ku u ndesh të mërkurën për “Challenge Cup”. Sipas trajnerit të kampionëve, vetëm në kthim skuadra është nisur të enjten në mëngjes në ora 09:00 dhe ka mbërritur në Tiranë në ora 09:00 të ditës së djeshme.
“Në vajtje kemi bërë 15 orë udhëtim deri në Zagreb, atje ku kemi mbërritur në ora 12 të natës të ditës së hënë dhe më pas të martën kemi mbërritur në Kaposvar në ora 14:30. Unë po ju them vetëm kaq, një lojtar i kalibrit botëror si Donald Suxho për shkak të qëndrimit me orë të gjata në sedijen e autobusit ka pasur probleme në gju. Sepse ata janë mësuar që të shkojnë dhe të vijnë me avion me 5-6 orë udhëtim dhe kaq. Dhe po të shohësh sot janë të gjithë me fytyra të zbehta”, – ka theksuar trajneri i Studentit, Ylli Tomorri.
Pyetjes së “Gazetës së Sportit” se kur do të vijë ajo kohë që skuadrat tona të udhëtojnë vetëm me avion, Tomorri, që është edhe trajner i Kombëtares së meshkujve, do t’i përgjigjej: “Ne kemi pasur një buxhet prej 10.000 eurosh nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit. Mirëpo do të isha i mendimit që të mos m’i jepte as këto. Të jepte dyfishin, të provonte dhe nëse duhet rezultati skuadra të udhëtojë me avion, pasi do të ishte më e çlodhur. Sepse kështu nuk vemi asgjëkundi”.