AlbanianSport.com 05.03.2016 20:05
ASNN – TV Shkodra është fituese e edicionit të 7-të të Kupës “Panajot Pano”. Në finale ekipi I gazetarëve sportivë të Shkodrës ka mundur kolegët e RTSH-së duke marrë kështu kupën. Në vend të tretë u rendit ekipi i gazetarëve të Dojce Veles të ardhur nga Gjermania.
Edicioni i 7-të i Kupës “Panajot Pano” është mbyllur në mënyrë spektakolare teksa fitues është shpallur skuadra e gazetarëve sportivë të TV Shkodrës. Në finale ata kanë mundur kolegët e Televizionit Shqiptar. Finalja u zhvillua me shumë rivalitet pasi u mbyll me rezultatin e barabartë 2-2.
U deshën gjuajtjet e 11-metërshave për të vendosur ekipin fitues të këtij trofeu. Më të saktë nga pika e bardhë ishin gazetarët e TV Shkodrës që realizuan 3 kundrejt 1 të gazetarëve të RTSH-së. Më pas u shpërndanë trofetë për lojtarët më të mirë të aktivitetit.
Portjeri me i mire u shpall Ermal Mazari i RTSH-së, golshenuesi me i mire Klodjan Cani i TV Shkodrës dhe lojtari më i mirë, Ansel Seçi i RTSH-së. Në vend të tretë u rendit ekipi i gazetarëve të “Dojce Veles” të ardhur nga Gjermania, ndërsa në të katërtin “Tring”-u.
Ndërsa ekipi i RT të Kosovës fiton trofeun “Fair Play”. Turneu i minifutbollit “Panajot Pano” që organizohet çdo vit është kthyer në ndërkombëtar tashmë pasi në të marrin pjesë gazetarë sportivë jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga Kosova, Maqedonia dhe Gjermania.