AlbanianSport.com 22/03/2019 22:45
ASNN – Shqipëria i ka nisur Eliminatoret e Evropianit të 2020-ës me një humbje, pasi kuqezinjtë janë mundur në Shkodër përballë Turqisë, e cila i ka siguruar 3 pikët e plota falë dy golave, të shënuar nga një për secilën pjesë loje. Ky takim u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në një transmetim maratonë nga Shkodra.
Dy gola, nga një për secilën pjesë loje nga një Turqi cinike kanë bërë të premten që të nisë me një humbje aventura e Shqipërisë në Eliminatoret e Evropianit të 2020-ës në futboll, pasi kuqezinjtë e Panuçit kanë dalë të mundur nga ndeshje që u luajt në Stadiumin Loro Boriçi të Shkodrës dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Minuta e 14-të dhe Balaj përfiton nga një pasim i zgjuar dhe ka hapësirë teksa shkon drejt zonës turke, por nuk ka ekuilibër dhe goditja e tij, edhe nën ndikimin e mbrojtësit kundërshtar, është e dobët dhe pritet nga gardiani i portës mike, Mert. 6 minuta më pas, Balaj sërish protagonist, shërben zgjuarsisht me kokë për Balliun, që fiton duelin me mbrojtësin, por jo me portierin turk, që e devijon topin me këmbë dhe shmang golin.
Atë që nuk e bëri Shqipëria me dy raste brenda 7 minutash, e bën Turqia menjëherë me një rast të vetëm dhe, duke përfituar nga gabimi i 3-të brenda 20 minutash i Gjimshitit, Tosuni përfiton dhe pason për Jëllmazi, që brenda zone nuk gabon dhe e kalon Turqinë në epërsi. 10 minuta më pas, goditje e lirë për kuqezinjtë të majtë të zonës turke, por goditja e Memushajt është e ulët dhe largohet nga mbrojtja mike.
Shqipëria përpiqet të reagojë pas pësimit të golit. Në minutën e 34-t, Uzuni lëviz bukur dhe del i lirë në zonë, por kontrolli i topit e tradhton dhe Kombëtarja shpërdoron një tjetër rast të volitshëm. 4 minuta më pas, Uzuni fiton duelin me mbrojtësin turk dhe godet prirët me portën turke, por Merti prek pa problem. Pavarsisht nga 4 minutat shtesë, pjesa e parë mbyllet me epërsinë minimale të miqve.
Pjesa e dytë nis me Shqipërinë konfuze dhe me shumë gabime dhe në minutën e 54-t, Turqia dëshmon edhe një herë se është një skuadër cinike, pasi Çallhanollu e ka zotëruar topin në mesfushë dhe ka depërtuar deri në kufinjtë e zonës, duke goditur mjeshtërisht dhe duke mposhtur Berishën për golin e dytë të miqve. 4 minuta më vonë, Balaj i lë vendin Grezdës dhe Balliu Sadikut.
Një ndërrim i dyfishtë të Panuçit për të freskuar sulmin teksa Kombëtarja është në disavatazh të dy golave. Dy ndërrime që nuk sjellin asnjë ndryshim, teksa Shqipëria mbetet e turbullt dhe e vakët, pa krijuar asnjë rast të volitshëm për shënim, përballë një Turqie që administron mjaft mirë lojën dhe epërsinë dygolëshe, të cilën thuajse e thellon në minutën e 84-t.
Por, për fatin e mirë të kuqezinjve, goli që do të ishte i dyti personal për Jëllmazin, anulohet për pozicion jashtëloje. Përtej një rasti (87’05) të kuqezinjve, por që grushtohet nga portieri mik 3 minuta para fundit të kohës së rregullt, por edhe 6 minutave shtesë, Shqipëria mundet 0-2 në ndeshjen e parë të këtyre Eliminatoreve, duke ngritur më shumë pikëpyetje sesa duke dhënë përgjigje për atë që pritet prej saj në vazhdim.