AlbanianSport.com 24.09.2014 13:10
ASNN – Turbina këtë vit ka bërë një revolucion të vërtetë në skuadër duke sjellë shumë emra te rinj, lojtarë me eksperiencë dhe talente. Ka rënë në sy afrimi i pesë lojtarëve nga Gramshi, të cilët sezonin e kaluar ishin shumë pranë kalimit të skuadrës së tyre një kategori më lart. Tashmë ata i janë bashkuar Turbinës dhe objektivi i tyre është i qartë të bëjnë realitet atë që humbën në sezonin e fundit tek Gramshi. Trajneri Engjëll Belshi është i sigurt që me lojtarët që ka në skuadër do të arrijë shumë lart.
Nga lojtarët e afruar ka rënë në sy edhe mbrojtësi i djathë Martin Lulgjuraj, i cili vitin e kaluar ka bërë paraqitje mjaft të mira me Gramshin, duke luajtur titullar në çdo ndeshje. 21-vjeçari është formuar si futbollist tek të rinjtë e Elbasanit. Madje ka luajtur edhe për disa ekipe të tjera dhe ka treguar se di ta mbrojë mjaft mirë pozicionin e tij dhe sjell siguri në atë repart. Paraqitje e Lulgjurajt në stërvitjet e kryera deri tani kanë qenë mjaft të mira, pasi është i sigurt në zotërimin e topit dhe ka treguar aftësi të mira në çdo veprim.
E gjithë situata do të zgjidhet në ndeshjet e vërteta, që do të zhvillohen në kampionat. “I jam bashkuar Turbinës, sepse ka cilësi mjaft të mira në ekip dhe një program shumë të qartë. Nëse do të jem pjesë e formacionit të trajnerit Belshi premtoj se do të jap maksimumin nga vetja duke luftuar për çdo top. Por shpresoj që me grupin që kemi të realizojmë edhe atë që dëshirojmë të gjithë, ngjitjen në Kategorinë e Parë”, – ka thënë Lulgjuraj.