AlbanianSport.com 04.10.2014 22:55
ASNN – Turbina është padyshim ekipi që ka bërë paraqitjen më të mirë në ndeshjen e parë të Kategorisë së Dytë. Në fushën e vet, të dielën e kaluar, cërrikasit kanë mundur Orikumin, 3-0. Ekipi është kompletuar në çdo repart dhe premtojnë ecuri të mirë këtë sezon. Një nga goditjet më të mira në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në verë ka qenë edhe rikthimi i sulmuesit prrenjak, Altin Lleshi, i cili sjell siguri në repartin e sulmit me aftësitë që zotëron.
Lleshi shprehet se është i lumtur që i është bashkuar sërish kampit cërrikas dhe se do të bëjë maksimumin për të ndihmuar ekipin. “Drejtuesit e klubit kanë bërë një punë mjaft të mirë me lojtarët që kanë afruar, – ka deklaruar ai. – Kemi lojtarë cilësorë me të cilët shpresojmë të bëjmë punë të mirë dhe të kthehemi sërish në Kategorinë e Parë. Trajneri Belshi është duke punuar intensivisht me ekipin për t’u kthyer sërish në fushë me ritmin e fitoreve dhe të mos lejojë që lojtarët të dehen nga euforia e fitores.”
Turbina ka pasur luksin të presë në stadiumin e tyre edhe ekipe të Kategorisë së Parë dhe të Kategorisë Superiore, pasi fusha e Librazhdit është jashtë funksioni. Dhe për këtë arsye Sopoti paguan detyrimet e caktuara për të zhvilluar ndeshjet në stadiumin “Nexhip Trungu”, që është në kushte shumë të mira dhe ky është një avantazh për Turbinën. Të ardhurat që vijnë nga stadiumi, krerët mund t’i përdorin për investimet në klub ose për t’u dhënë shpërblim lojtarëve në ndeshje të rëndësishme.