AlbanianSport.com 30.09.2014 19:50
ASNN – Fitorja e parë e Turbinës në kampionat 3-0 me Orikumin ka vërtetuar edhe një herë se cërrikasit kanë ndërtuar një ekip mjaft të mirë nga i cili pritet shumë. Trajneri Belshi ishte shprehur se projekti i ndërthurjes së talentëve të rinj dhe lojtarëve me eksperiencë do të funksionoi më së miri dhe i dha provat dy ditë më parë ndaj Orikumit. Ata ishin perfekt në çdo repart duke vënë në rrezik portën kundërshtare që në fillimin e ndeshjes e duke e mbajtur ritmin deri në fund.
Trajneri Belshi është shprehur se të fitosh me një rezultat të tillë që në ndeshjen e parë ndikon pozitivisht në ecurinë e klubit. “Ne ishim shumë mirë dhe mjaft të kujdesshëm në repartin e mbrojtjes, – ka thënë ai. – Po ashtu edhe mesfusha bëri një punë mjaft të mirë duke u organizuar në mënyrë të tillë që të hidheshin në sulm shumë shpejt. Dominuam lojën në çdo aspekt, por kjo nuk do të thotë që jemi në formën më të mirë. Ne duhet të punojmë çdo ditë për të siguruar një ecuri të tille dhe pse jo të jemi kryesuesit e tabelës.”
Ka qënë sulmuesi Xhardja lojtari i ndeshjes, i cili ka arritur të shënojë dy gola. Në tribunën e Fushës Sportive “Nexhip Trungu” të Cërrikut ka qenë të pranishëm edhe Kryetarët e Bashkisë e presidentët e klubit për të ndjekur ndeshjen hapëse. Në fillim të ndeshjes ka qënë kryebashkiaku Duzha, i cili ka mbajtur një fjalim siç e do tradita. Ai është shprehur se skuadra do të ketë mbështetjen e Bashkisë dhe shpreson të ketë një paraqitje sa më të mirë e pse jo të kthehet në elitën e futbollit shqiptarë.