AlbanianSport.com 19.11.2014 16:15
ASNN – Turbina nuk e ka harruar ende atë që ajo e quajn “skandalin” që ka ndodhur me të në ndeshjen e fundit të luajtur në Rrogozhinë, atje ku cërrikasit barazuan 1-1 me Egnatian vendëse. Sipas cërrikasve ka qenë një gjykim i njëanshëm i gjyqtarit, ndërsa lojtari i ndeshjes ka qenë Altin Lleshi, i cili ka shënuar, por dhe ka fituar një 11-metërsh, që për fatin e keq të Turbinës, nuk është kthyer nga gol nga Lena. Për gazetat sportive të ditës, Lleshi do të tregonte se skuadra e tij ndjehet ende e vjedhur nga ndeshja në Rrogozhinë.
“Gjykimi ka qenë më shumë se sa skandaloz, sepse jo vetëm që ishte i njëanshëm, por na ka ndëshkuar me karton të kuq në mënyrë absurde”, – thotë Lleshi. Ndërkohë që kartoni i kuq për Turbinën për portierin Miza ka ardhur që pjesën e parë. Duke folur për shtypin sportiv shqiptar, ai ka thënë se ende nuk arrin ta kuptojë ndëshkimin e tij me karton të kuq. “Pas meje, – thotë portieri Miza, – qëndronin nja dhjetë veta, të cilët ishin mbi murin rrethues, të gatshëm për të qëlluar me gurë. Madje edhe pse nuk kam pasur asnjë kontakt me ta, ata kanë nisur të më shajnë e të më godisnin më pas, gjithnjë me gurë.”
“Ajo që unë bëra ishte mëse e drejtë, pasi mora gurët që ishin në fushë dhe ia dhash gjyqtarit. Por reagimi i tij jo vetëm që ishte i pakuptimtë, por më tregoi dhe kartonin e kuq e më la ndeshjen në gjysmë”, – ka përfunduar portieri Miza. Megjithatë Turbina është duke u munduar që ta hedhë pas krahëve këtë humbje dhe gjatë javës që kampionati ka qenë pushim është stërvitur në mënyrën e duhur për t’iu kthyer rezultateve pozitive.