AlbanianSport.com 23.10.2014 13:50
ASNN – Tashmë Turbina ndodhet në vendin e dytë, dy pikë larg kryesuesve të Gramshit, ndërsa në fundjavën e kaluar ka bërë një hap fals, teksa ka barazuar në fushën e vet, 0-0 me Gramozin. Optimizmi para ndeshjes ishte i madh dhe të gjithë besonin vetëm tek fitorja, por kundërshtari diti të mbrohet mjaft mirë duke arritur t’i bëjë ballë të gjitha sulmeve të vendësve. Turbina dominon të gjithë ndeshjen, godet disa herë shtyllën, bën gjuajtje të bukura dhe të rrezikshme.
Por portieri Gramozit u tregua i pathyeshëm. Raste pa fund për gol për sulmin e Turbinës dhe sa më shumë kohë kalonte aq më të pastra bëheshin mundësitë për realizimin e golit. Por ishte vetëm barazimi pa gola rezultati final i ndeshjes. Edhe pse morën një pikë, drejtuesit e Turbinës e gjykojnë si një humbje, pasi para ndeshjes fitorja për ta nuk diskutohej. Tashmë ekipi i është kthyer stërvitjes duke u përgatitur taktikisht e fizikisht për ndeshjen e rëndësishme që ka këtë fundjavë në fushë të huaj në Gramsh.
Nga kjo sfidë do të ndahet edhe kryesuesi i momentit, pasi të dy ekipet ndodhen në krye të grupit të Jugut me një diferencë të vogël pikësh. Trajneri Ëngjëll Belshi shprehet se ajo që ndodhi me Gramozin shpresohet të mos përsëritet më. “Ne luajtëm shumë bukur, krijuam raste pa fund, por duket se fati nuk ishte me ne këtë javë, – ka deklaruar ai. -Jemi të zhgënjyer nga barazimi, por sërish e kemi në dorë që të marrim kryesimin, pasi kemi ndeshje direkte me kryesuesit.”
“Ne e cilësojmë si një finale e do të luajmë shumë fort për të dalë me kokën lart e me pikë të plota nga stadiumi i Gramshit. Shpresojmë që të kemi dhe fatin me vete”, – ka përfunduar trajneri i Turbinës, Ëngjëll Belshi.