AlbanianSport.com 14.10.2014 17:50
ASNN – Turbina është duke kaluar momente mjaft të mira në javët e para të kampionatit. Cërrikasit kanë arritur të grumbullojnë pikë të plota këto dy javë të para të kampionatit. Me lojën që kanë zhvilluar në fushë kanë treguar se janë ndër pretendentë kryesorë për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë. Deri tani rivali i tyre kryesor është Gramshi, skuadër e cila ka të njëjtën kuotë pikësh me Turbinën, por ka shënuar më shumë gola se sa cërrikasit.Trajneri Engjëll Belshi shprehet se objektivi kryesor është kthimi i cërrikasve në Kategorinë e Parë. “Këto ditë po punojmë intensivisht për të arritur formën më të mirë.”
“Është shumë herët për të thënë se ne jemi në krye të tabelës dhe pretendentë kryesorë pasi janë zhvilluar vetëm dy ndeshje”, – ka theksuar Belshi. Atmosfera në kampin cërrikas është shumë pozitive, ndërsa lojtarët janë plotësisht të karikuar, pasi me fitoren e marrë në fushë të huaj me Bilisht Sportin, përfituan edhe shpërblim. E kjo gjë jo vetëm që i motivon shumë lojtarët, por dhe u garanton mbështetjen nga drejtuesit. “Kemi shumë lojtarë cilësorë në ekip dhe vendi i titullarit mbetet gjithmonë në diskutim, pasi varet nga paraqitja që bëjnë në seancat stërvitore. Kjo është mënyra më e mirë për t’i mbajtur lojtarët e karikuar e në formë, pasi çdokush kërkon të jetë pjesë e formacionit”, – ka pohuar Belshi.
“Turbina këtë sezon ka pasur komponentë të rinj dhe talente të rinj në ekip, të cilët janë shpresëdhënës që ekipi do të ketë vazhdueshmëri në disa sezone, – ka vijuar ai. – Po ashtu ka pasur dhe rikthime lojtarësh mjaft cilësorë dhe me eksperiencë, të cilët po e ndihmojnë shumë ekipin. “Kemi ditë të mjaftueshme në dispozicion për t’u përgatitur për ndeshjen e radhës dhe po i shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë të mundshme këto ditë. Do të jemi gati për sfidën e radhës dhe shpresojmë të marrim një rezultat pozitiv. Na duhet fitorja pasi mbas dy javësh do të kemi përballje direkte me rivalin e momentit Gramshin dhe nëse jemi me pikë të plota e do të fitojmë do të shkëputemi dhe më shumë prej tyre.”
“Ne i vlerësojmë të gjithë kundërshtarët si të barabartë, duke i cilësuar si më të fortët, pasi nuk duam të kemi surpriza”, – ka përfunduar trajneri Turbinës, Belshi.