AlbanianSport.com 21.12.2014 08:35
ASNN – Turbina u është kthyer normalisht seancave stërvitore në kuadrin e përgatitjeve për ndeshjen e radhës, sot në vizitën përmetare. Parësore për Turbinën do të jetë rikuperimi në pozicionet ku po has më shumë vështirësi. Cërrikasit investuan mjaftueshëm këtë sezon në çdo repart për të arritur komoditetin dhe cilësinë në mjediset stërvitore dhe në cilësinë e lojtarëve që do t’i përfaqësonte ata në kampionat.
Trajneri Engjëll Belshi është shprehur më parë se çdo ndeshje që do të zhvillojë ekipi i tij do të cilësohet si një finale dhe të tilla kanë qenë deri tani edhe pse kanë marrë disa rezultate jo pozitive, atje ku pretendojnë se ka pas dorë edhe gjyqtari. “Probleme ekipi duket se po has në fazën sulmuese, atje ku po shpërdorohen disa raste të pastra. E ajo që duhet të bëjmë tani është t’i forcojmë edhe këto reparte”, – është shprehur Belshi.
“Ne kemi komponent të mirë në sulm, lojtar me cilësi mjaft të mira, por duhet të punojmë më shumë me harmonizimin mes tyre për ta zgjidhur ndeshjen sa më shpejt e sa më thjesht, – ka vijuar ai. – Sa u përket reparteve të tjera janë në formë të mirë, por ka vende për përmirësim. Turbina ka objektiv ngritjen në Kategorinë e Parë dhe këtë sezon është në rrugën e duhur deri tani.”
“Kampionati është i gjatë dhe duhet të jemi me këmbë në tokë që pas çdo ndeshje të analizojmë gabimet e t’i përmirsojmë, pasi vetëm duke mësuar nga gabimet mund t’ia dalim të arrijmë objektivat”, – ka përfunduar trajneri i Turbinës, Engjëll Belshi.