AlbanianSport.com 05.11.2014 11:35
ASNN – Vazhdon ecuria pozitive e Turbinës së Cërrikut. Edhe në këtë javë të pestë, ata kanë arritur të fitojnë me Këlcyrën, si dhe të marrin trepikëshin e radhës në fundin e lojës. Por e rëndësishmja e kësaj ndeshje ishte se, edhe pse u zhvillua lojë e bukur e me raste pa fund, shënimi i golit erdhi vetëm 5 minuta para përfundimit të kohës së rregullt të ndeshjes.
Ekipi i trajnerit Ëngjëll Belshi po jep rezultatet e pritura, edhe drejtuesit kanë pohuar që në fillim të sezonit se janë në një formë të mirë dhe do të jenë në krye të renditjes së grupit të Jugut për të kërkuar më pas edhe ngjitjen në Kategorinë e Parë. Vendin e dytë mban aktualisht Turbina me meritë të plotë dhe duket se pas barazimit të gramshakëve në Tepelenë do të rivalizojë hap pas hapi me kryesuesit e Gramshit.
Këto rezultate ishin të paraprira edhe nga organizimi që klubi i bëri ekipit, po ashtu edhe me afrimet që solli të cilat rezultuan shumë të dobishme dhe kanë qenë mjaft vendimtarë në zgjidhjen e disa ndeshjeve. Trajneri Engjëll Belshi shprehet mjaft i kënaqur me ecurinë që ka pasur ekipi i tij, duke thënë: “Kemi bërë mjaft mirë këtë fillim sezoni, por duhet të mbajmë këtë ritëm, sepse kemi një rrugë mjaft të gjatë e të vështirë para”.
“Duhet ta shohim çdo sfidë që na pret si finale se vetëm në këtë mënyrë mund të arrijmë objektivin tonë të rikthimit në elitë. Atmosfera në ekip është shumë pozitive. Lojtarët kuptohen mjaft mirë me njëri-tjetrin e ajo që është për t’u vlerësuar është konkurrenca mes lojtarëve, e cila është mjaft e fortë për të fituar vendin në formacion”, – ka përfunduar trajneri u Turbinës, Ëngjëll Belshi.