AlbanianSport.com 09.10.2014 15:40
ASNN – Afrimet e reja tek Turbina kanë dhënë rezultate mjaft të mira, pasi cërrikasit kanë arritur të marrin dy fitore në dy ndeshjet e para. Puna e palodhshme e trajnerit Belshi duket se po jep frytet e pritura. Çdo repart në fushë është i dubluar dhe në rast dëmtimi zëvendësuesi do të jetë i menjëhershëm. Ndër lojtarët, që ka qëndruar vetëm në pankinë, është edhe 18-vjeçari Dorjan Bajrami, i cili është formuar si futbollist tek të rinjtë e Turbinës.
Sezonin e kaluar, Bajrami është aktivizuar me ekipin e parë në fazën e dytë dhe me paraqitjet që ka bërë ka mahnitur të gjithë dashamirësit e futbollit. Bajrami luan në rolin e qendërmbrojtësit dhe në atë të mbrojtësit të djathtë. Bajrami shprehet se është shumë i kënaqur që është i grumbulluar në ekip dhe se nuk ka rëndësi nëse aktivizohet në çdo ndeshje, apo jo. “Jam shumë i lumtur për aq sa kam luajtur deri tani”, – ka deklaruar 18-vjeçari cërrikas.
“Jam i ri akoma dhe në momentin e duhur do të fitoj edhe vendin në formacionin kryesor, – ka vijuar ai. – Trajneri po bën një punë mjaft të mirë me ne dhe si fillim po kërkon rezultate pozitive, të cilat shokët e ekipit kanë arritur t’i marrin. Madje nuk kanë pësuar asnjë gol kundrejt katër të shënuarve. Ka konkurrencë të madhe për të qenë pjesë e formacionit, por zgjedhjet e trajnerit deri tani kanë qenë të mira dhe kanë sjellë rezultate.”
“Ne do të japim më të mirën për ekipin dhe do të japim maksimumin për t’u rikthyer në Kategorinë e Parë. Deri atëherë shpresoj që të jem edhe unë pjesë e formacionit”, – ka përfunduar Bajrami.