AlbanianSport.com 28.01.2015 11:55
ASNN – Lidhur me hetimet për trukimin e ndeshjes Flamurtari-Teuta, Prokuroria e Vlorës u ka dërguar shkresë zyrtare kompanive të basteve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, për të parë nëse ka patur shuma të mëdha të vendosura mbi këtë ndeshje dhe nëse ka patur luhatje të kuotave të basteve, sidomos për minutat e fundit dhe minutat shtesë të këtij takimi.
Më pas do të vijohet me marrjen në pyetje të zyrtarëve të ndeshjes, futbollistëve, trajnerëve dhe drejtuesve të klubeve, dëshmitë e të cilëve do t’u bashkangjiten si prova edhe informacionit të ardhur nga kompanitë e basteve. Sikundër është bërë tashmë e ditur, dyshimet për trukim të ndeshjes Flamurtari-Teuta nuk po shqyrtohen vetëm nga institucionet sportive, por edhe ato të drejtësisë.
Prokuroria e Rrethit Vlorë regjistroi kryesisht procedimin penal për akuzën e trukimit të ndeshjes Flamurtari-Teuta, e luajtur të shtunën në mesditë në stadiumin e Vlorës. Kjo nënkupton se prokuroria e Vlorës e ka hapur këtë hetim me nismën e vet, pa patur nevojë për një denoncim apo paditje, duke ndërmarrë, në fakt, për herë të parë një nismë të tillë.
Sipas burimeve pranë kësaj Prokurorie, prokurorët kanë marrë në dorë pamjet filmike ku në minutat e fundit futbollistët durrsakë zhvilluan një lojë të çorientuar, e cila u kundërshtua edhe nga tifozeria vlonjate, që e quajti të dhuruar suksesin e Flamurtarit. Drejtuesit e klubit mikpritës kërkuan hetimin e kësaj ngjarje duke u distancuar nga çdo lloj dyshimi për manipulim.
Sipas burimeve në fjalë, u është dërguar shkresë zyrtare kompanive të basteve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, për të parë nëse ka patur shuma të mëdha të vendosura mbi këtë ndeshje dhe nëse ka patur luhatje të kuotave të basteve, sidomos për minutat e fundit dhe minutat shtesë të këtij takimi. Më pas do të vijohet me marrjen në pyetje të zyrtarëve të ndeshjes, futbollistëve, trajnerëve dhe drejtuesve të klubeve, dëshmitë e të cilëve do t’u bashkangjiten si prova edhe informacionit të ardhur nga kompanitë e basteve.
Pavarsisht se duhet të kishte një denoncim më parë nga vetë FSHF, Prokuroria në bazë të nenit 197, pika 2, nisi hetimet duke dyshuar për trukimin e kësaj ndeshjeje futbolli. Ndërkaq, vetë Federata Shqiptare e Futbollit ka mbledhur të martën pasdeke Komisionin e saj të Etikës, i cili ka vendosur që të thërrasë në pyetje të gjithë anëtarët e klubeve përkatëse, që mendohet se mund të japin dëshmi të vlefshme në lidhje me këto takime.
Pas marrjes së këtyre dëshmive, Komisioni i Etikës, do të rimblidhet përsëri, ditën e hënë ora 14:00.