AlbanianSport.com 11/08/2018 19:55
ASNN – Trofeu “Paskuçi 2018”, veprimtaria që bëri bashkë 3 skuadra shqiptare, Teutën vendase, Partizanin dhe Lirën e Prizrenit, ka nisur me përballjen midis të kuqve të kryeqytetit dhe skuadrës nga Kosova. Kjo ndeshje, që konsistoi në 45 minuta lojë, foli më tepër për skuadrën e trajnerit Skënder Gega, e cila bëri një vëllim më të madh loje dhe krijoi më tepër raste për shënim.
Por herë për pasaktësi në finalizim, ku Progni do të jetë fajtor për 2-3 raste të shpërdoruar, ashtu siç mund të thuhet për të riun Hebaj, e herë për meritë të portierit të skuadrës nga Kosova, Hodaj, shifrat do të mbeten të pandryshuara deri në minutën e 34-t, kur ka prekje topi me dorë brenda zone dhe gjyqtari jep një 11-metërsh në favor të të kuqve kryeqytetas.
Telushi tregohet i saktë nga pika e bardhë, 1-0 për Partizanin. Liria e Prizrenit do të mundohet të reagojë, por Partizani administron epërsinë dhe e fiton takimin e parë të këtij turneu me një gol të vetëm. Duke folur pas ndeshjes për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, trajneri i Lirisë së Prizrenit, Bedridin Gjinali ka vlerësuar lojën e kundërshtarit.