AlbanianSport.com 24/04/2020 21:40
ASNN – Pasi qeveria holandeze vendosi pezullimin e aktiviteteve sportive në vend deri në datën 1 shtator, ky sezon i futbollit në kampionatin holandez është anuluar përfundimisht. Në këtë mënyrë, nuk do të ketë as “kampione” për këtë edicion. Dy pretendentët për trofeun e kampionatit Ajaksi dhe AZ Alkmari tashmë duhet të bëjnë llogaritë për sezonin pasardhës pasi titulli është lënë vakant.
Nga ky vendim i qeverisë holandeze ndëshkohet dhe skuadrat që luftojnë për t’u ngjitur në elitë. Kryesuesja e nivelit të dytë të kampionatit holandez të futbollit, Kambu’uri nuk do të luajë sezonin e ardhshëm në nivelin më të lartë, “Eredivisie”, edhe pse e kryeson e shkëputur kampionatin, me 11 pikë. Po kështu, Megjithatë, ekipet ADO Den Hagë, Fortuna Sitard dhe RKC Va’alvijku nuk do të bien nga kategoria.
E ndërkohë që Ajaksi e ka pranuar pa ndonjë problem vendimin e Federatës Holandeze të Futbollit, kryesuesja e nivelit të dytë, Kambu’uri, ka reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, duke kërkuar madje edhe ndihmën e UEFA-s. Ajaksi e ka kuptuar gjendjen, sipas Edvin Van der Sa’arit, drejtuesit të “shigjetarëve”, i cili ka deklaruar: “Jam dakord! Pa titull, nuk ka problem. Ka gjëra më të rëndësishme tani se sa futbolli.”
“Edhe pse ishte vit mjaft i mirë për ne, edhe pse kemi ecur mjaft mirë, tani duhet të mendojmë për jetët e njerëzve”, – ka përfunduar ish-portieri i famshëm, tanimë drejtues i klubit të njohur holandez. Ndërkaq, trajneri i Kambu’urit e ka cilësuar si “skandali më i madh në histori”, vendimin për anulimin e sezonit. Kjo skuadër kishte 4 pikë diferencë me ndjekësit dhe ngjitja në elitën e futbollit holandez, dukej e sigurt.
Por, Federata Holandeze e Futbollit e anuloi sezonin dhe ekipet do të mbajnë pozitat aktuale. Kjo do të thotë që Kambu’uri duhet të kalojë të paktën dhe një sezon tjetër në Kategorinë e Dytë, gjë që nuk i ka pëlëqyer aspak trajnerit 54-vjeçar, Jan de Jonge. Ky i fundit, nuk është përmbajtur aspak me deklaratën e tij, duke thënë: “Skandali më i madh në historinë e futbollit holandez, padiskutim!”
“Njerëzit duhet të marrin vendimet e duhura, sidomos në këtë situatë, – ka vijuar ai duke mos e fshehur zemëratën e tij. – UEFA është me ne, sezoni duhet të mbarojë. Kemi 11 pikë më shumë se vendi i tretë dhe e meritojmë ngjitjen. UEFA ka kërkuar për vendime të drejta, ky nuk është vendim i drejtë!”. Në fakt, organizmi që qeveris futbollin kontinental ka këmbëngulur që të synohet mbyllja e sezonit, por ka pranuar se vendimi përfundimtar u mbetet federatave vendase.