AlbanianSport.com 02.12.2015 08:50
ASNN – Portugezi Kristiano Ronaldo, argjentinasi Lionel Mesi dhe braziliani Nejmar janë 3 kandidatët përfundimtarë për Çmimin e Futbollistit më Të Mirë të planetit, të njohur ndryshe si “Topi i Artë”, për vitin 2015. Organizmi që qeveris futbollin botëror, FIFA, dhe revista prestigjioze franceze, “Francë Futboll”, kanë shpallur listën përfundimtare të kandidatëve si për lojtarët dhe trajnerët më të mirë, meshkuj dhe femra, ashtu edhe për golin më të bukur të vitit.
Organizmi që qeveris futbollin botëror, FIFA, dhe revista prestigjioze franceze, “Francë Futboll”, kanë shpallur të hënën listën përfundimtare të kandidatëve si për lojtarët dhe trajnerët më të mirë, meshkuj dhe femra, ashtu edhe për golin më të bukur të vitit 2015. Sa i përket çmimit më të rëndësishëm, lista prej 23 lojtarësh, që ishte shpallur më 20 tetor të këtij viti, është shkurtuar tashmë në vetëm 3 kandidatë, të cilët janë portugezi Kristiano Ronaldo, argjentinasi Lionel Mesi dhe braziliani Nejmar. Dyshja e Barcelonës ka shkëlqyer me klubin e tyre, Barcelonën, duke i fituar të tre trofetë, ndërsa Kristiano Ronaldo regjistroi vitin më të mirë në karrierë e tij, duke shënuar 61 gola për Realin. Ndërkohë, kandidatët për trajnerin më të mirë të vitit janë Pep Guardiola i Bajernit të Mynihut, Luis Enriqke i Barcelonës dhe Horge Sampaoli, i përfaqësueses së Kilit. Po kështu FIFA dhe revista franceze, “Francë Futboll”, kanë shpallur edhe 3 kandidatët përfundimtarë sa u përket lojtareve më të mira dhe trajnerëve më të mirë në futbollin e femrave, ndërsa më parë janë shpallur edhe 10 kandidatët për golin më të bukur të vitit, që njihet ndryshe si çmimi “Pushkash”. Ceremonia e dhënies së Çmimit të “Topit të Artë” do të zhvillohet më 11 janar të viti 2016 dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.