AlbanianSport.com 12.01.2015 21:25
ASNN – Siç dihet, që kur “Topi i Artë” nuk është pronë ekskluzive e revistës franceze, “Francë Futboll”, në të votojnë jo vetëm gazetarët, por edhe trajnerët dhe kapitenët e ekipeve përfaqësuese. Dhe, duke i hedhur një sy votimit për meshkuj, kur Shqipëria është përfaqësuar nga gazetari veteran dhe historiani i sportit, Besnik Dizdari, si dhe trajneri i Kombëtares, Xhovani De Biazi, dhe kapiteni Lorik Cana, vërejmë se votimi i tyre ka qenë shumëngjyrësh.
Për Dizdarin, “Topi i Artë” i 2014-tës i përkiste kampionatit të botës, Manuel Nojerit, dhe prandaj i ka dhënë gjermanit 5 pikë, duke renditur në vendin e dytë Kristiano Ronaldon, me 3 pikë, dhe në vendin e 3-të Lionel Mesin, me 1 pikë të vetme. Ndërkaq, ka qenë unanime zgjedhja e De Biazit dhe Canës, që 5 pikët e tyre ia kanë dhënë portugezit dhe nuk e kanë fare gjermanin e portës në 3-shen e tyre të parë. De Biazi 3 pikët ia ka dhënë kapitenit gjerman, Filip Lahm, ndërsa Cana holandezit Arjen Roben.
Nga një pikë të vetme trajneri kuqezi ia ka dhënë holandezit Roben, kurse Cana gjermanit Tomas Myler. Po kështu, krejt e ndryshme ka qenë vota shqiptare për trajnerin më të mirë, që natyrisht u fitua nga Joakim Lëvi i përfaqësueses gjermane. Ky i fundit ka marrë 5 pikët e gazetarit Dizdari, i cili i ka dhënë 3 pikë trajnerit të Argjentinës, Alehandro Sabeja dhe një pikë të vetme Karlo Ançelotit. Por italiani ka marrë pikët maksimale nga bashkatdhetari i tij, Xhovani De Biazi.
Trajneri kuqezi i ka dhënë 3 pikë Lëvit dhe vetëm një Diego Simeones, i cili sidoqoftë ka marrë votat maksimale të Lorik Canës, i cili pas argjentinasit të Atletikos së Madridit, ka renditur italianin e Realit të Madridit dhe gjermanin Lëv. Ndërkohë, ka qenë më në union vota e dy përfaqësuesve shqiptarë në përzgjedhjen e “Topit të Artë” për femra dhe trajnerit/trajneres më të mirë të futbollit të femrave, përkatësisht trajnerit Altin Rraklli dhe kapitenes së përfaqësueses, Aurora Seranaj.
Përsa i përket lojtares më të mirë, Rraklli ka votuar me 5 pikë portierin gjermane, Nadinë Angerer, 3 pikë brazilianen Marta dhe 1 pikë amerikane Ebi Uombah. Kjo 3-she ishte e njëjtë për Seranajn, me ndryshimin e vetëm që ajo 5 pikët ia dha Martës dhe 3 pikët Angererit. Duhet theksuar se të dy përfaqësuesit shqiptarë kishin lënë janë 3-shes së tyre gjermanen Nadinë Kesler, që u shpall fituese e këtij trofeu. Ndërkaq, ka qenë unanime vota e Rrakllit dhe Seranajt sa i përket trajnerit/trajneres më të mirë.
Si trajneri, ashtu edhe kapitenia kanë votuar në vendin e parë Martina Vos-Teklenburgut, në të dytin Maren Mainertin dhe në vendin e tretë Norio Sasaki. Sikundër në rastin e trajneres më të mirë, duhet theksuar se të dy përfaqësuesit shqiptarë kishin lënë janë 3-shes së tyre gjermanin Ralf Kellerman të Volfsburgut, që u shpall fitues i këtij trofeu.