Gjergj Vyshka 03.01.2015 20:25
ASNN – Pas rreth një muaj larg Tomorit, Enea Bitri tashmë është kthyer në skuadër. Dhe si një mbrojtës me përvojë në Berat e kanë mirëpritur. Nuk duhet harruar që Bitri kishte shkuar në Gjermani për t’u provuar tek FC Këlni II.
Mirëpo duket se ka qenë e pamundur, ndërsa kështu i bashkohet ardhjeve të fundit në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër. Mile, Muzhaji dhe Shtrepi kanë qenë të ardhurit e fundit e atyre i është bashkuar dhe Bitri.
Pa thënë këtu që vlonjatët Bishaj e Idrizi nuk do të largohen nga skuadra. Beratasit vazhdojnë të këmbëngulin që e kanë dhe një mbrojtës të fundit nga tregu i lëvizjeve të futbollistëve në dimër.
Dhe vetëm kështu do të kenë një skuadër të plotësuar me të gjithë lojtarët e domosdoshëm jo vetëm për të përballuar me sukses pjesën e dytë të sezonit, por dhe pse jo për të pretenduar ngjitjen në Superiore.
Tomori të shtunën do të presë në Berat pretendenten për në Superiore, Sopotin e Librazhdit.