AlbanianSport.com 25.11.2014 13:45
ASNN – Pas javës së tetë, por dhe pas fitores në ndeshjen e vështirë të Pogradecit, Tomori renditet në vendin e tretë të grupit të Jugut në pikë të barabarta me Dinamon, e cila të dielën është ndalur në Ballsh me humbjen ndaj Bylisit, 1-2. Të besuarit e Memushit kanë arritur të dalin me “kokën lart” nga Pogradeci, edhe pse në këtë ndeshje beratasit janë paraqitur me shumë mungesa të formacionit bazë. Goli i Papës, në minutën e 70-të, ka bërë që Tomori të dalë me 3 pikë pas disa vitesh në Pogradec, një tabu e thyer kjo tani më në këtë qytet.
Një javë më parë, Enriko Papa premtoi se do të gjente rrugën e golit dhe do t’i dhuronte 3 pikët e arta Tomorit. Dhe pikërisht kështu ndodhi, ai shënoi dhe Tomori fitoi. Duke folur për gazetat sportive të ditës, ai kujtoi: “Ashtu siç pohova dhe në intervistat para ndeshjes, më në fund arrita të dal te goli. Jam shumë i kënaqur që shënova golin tim të parë më fanellën e Tomorit, ishte një gol në një ndeshje shumë të vështirë jashtë fushe, por në fund dolëm me 3 pikë. Pas këtij goli shpresoj që mos të ndalem më së shënuari. Ky Tomor është një ekip me traditë dhe vendin e tij e ka në Superiore.”
“Ne do të përpiqemi sa më shumë të realizojmë këtë objektiv, – ka vijuar ai. – Fitorja në Pogradec ishte një autokritikë e mirë për ne pas dy barazimeve në shtëpi, tani nuk do të ndalemi më”. Ndërkohë skuadra dje ka nisur përgatitjet e saj për derbin e prefekturës mes Tomorit e Naftëtarit, që të shtunën e ardhshme do të luhet në Berat. Stafi dhe futbollistët janë dyfish të motivuar për të grumbulluar 3 pikët e radhës dhe për të arritur kreun e klasifikimit. Ndeshja e fundit e regjistruar mes këtyre ky ekipeve në Berat është ajo e sezonit 2007-2008, atje ku ndeshja ka përfunduar në barazim 1-1.
Të dyja ekipet janë përballur pak herë me njëra-tjetrën pasi kanë pasur ulje ngritje në kampionat.