AlbanianSport.com 26.11.2016 17:05
ASNN – Tomori dhe Lushnja janë ndarë me rrjeta të paprekura sot, në takimin e fundit të vlefshëm për javën e 10-të të grupit B të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Kjo ndeshje, që u luajt në Stadiumin e Beratit, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Kategoria e Parë e Kampionatit Kombëtar të Futbollit, ka ulur të dielën siparin e javës së saj të 10-të me përballjen e kreut, atë midis Lushnjë kryesuese dhe ndjekëses më të afërt, Tomorit. Kjo ndeshje, i ka parë vendasit më ngulmues në kërkim të fitores, duke bërë një vëllim më të madh loje dhe duke krijuar e shkuar dëm një numër rastesh për shënim.
Nga ana tjetër, Lushnja ka qenë e përqendruar në lojën mbrojtëse, ndërsa ka qenë më e rrezikshme në atë pak raste që ka patur për shënim, por pa arritur të gjejë dot golin. Në fakt, niveli i lojës së kësaj ndeshjeje është ndikuar mjaft edhe nga gjendja e renduar e terrenit në Stadiumin e Beratit, që e ka penguar mjaft rrjedhshmërinë e aksioneve të të dyja skuadrave si dhe finalizmin e tyre para portës kundërshtare.
Përfundimisht, mbyllet me rrjeta të paprekura kjo sfidë dhe Lushnja vazhdon të kryesojë renditjen e grupit A, në kuotën e 24 pikëve, 6 më tepër sesa Tomori i vendit të dytë.