AlbanianSport.com 11.10.2016 22:50
ASNN – Beratasit e kanë zhvilluar seancën e tyre stërvitore dje në mesditë në fushën e stadiumit. E kjo gjë nuk përbën më lajm, sepse stadiumi ka kohë që është kthyer në një funksion të dyfishtë për Tomorin, stërvitje dhe ndeshje. Sa për orarin e stërvitjes, beratasit kishin zgjedhur që të bënin në orarin e ndeshjes si një përshtatje me kohën zyrtare të luajtjes në kampionat.
Tomori është duke u përgatitur me intensitet të lartë, që do të thotë një vlerësim maksimal për Sopotin. Pavarësisht se librazhdasit vijnë pas dy humbjesh radhazi, beratasit e kanë vlerësuar maksimalisht, ndërsa ndeshja është duke u pritur me interes. Tek Tomori quhet fat që do të luhet në një fushë asnjanëse në kushtet kur në Librazhd ende nuk plotësohen standardet e kërkuara nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Por kërkohet maksimalja, ndërsa mbrojtësi Doraldo Paja do të deklaronte: “Puna jonë në stërvitje është me intensitet të plotë. Jemi në kërkim të vetvetes, kjo përsa i përket formës sportive. Dy javët e para kanë treguar një rritje cilësore të skuadrës, ndërsa jemi drejt një përmirësimi. Ndeshja me Sopotin do të jetë një mundësi për t’u shfaqur në nivelin e pritshëm, pse jo të një skuadre pretendente.”
“E besoj se do të na ndihmojë fakti që do të luajmë në fushë asnjanëse, – ka theksuar futbollisti i skuadrës beratase. – Duke pasur dhe mbështetjen e tifozerisë atëherë themi se do t’ia dalim për të vijuar më pas me një sukses të mundshëm në Berat në fundjavë ndaj Apolonisë.”