AlbanianSport.com 20.10.2014 14:25
ASNN – Tomori jo vetëm që është i kënaqur me trepikëshin e marrë në ndeshjen e fundit ndaj Luftëtarit, por tre shënuesit e golave për beratasit, pikërisht Alvaro Bisha, Onils Idrizaj dhe Gersi Arbëri, kanë treguar emocionet e tyre. Ajo që duhet theksuar është fakti se dy vlonjatët, që kanë mbërritur gjatë lëvizjeve të futbollistëve në tregun e verës, janë pikat kyçe për skuadrën e Eqerem Memushit.
Në deklaratën e tij, Alvaro Bishaj do të pohonte: “Kemi treguar se jemi një nga ekipet pretendente në rrugëtimin drejt Kategorisë Superiore. Golin tim të parë për këtë sezon, me fanellën e Tomorit, ia dedikoj familjes time. Shpresoj të shënoj dhe në vazhdim. Shpresoj që me djemtë e ekipit dhe Idrizajn në veçanti, pasi e kam si vëllanë tim, të japim maksimumin për këtë ekip”.
“Idrizaj është një sulmues me potencial pa ia mohuar vlerat, – ka shtuar ai. – Kam besim se do të dalë sulmuesi dhe shënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë.” Sakaq në të njëjtën linjë me Bishajn ka qenë dhe Idrizaj, që do të theksonte: “Kemi arritur fitoren e radhës në Berat, jemi një ekip shumë i fortë në shtëpinë tonë, por këtë duhet ta demonstrojmë edhe jashtë fushës sonë.”
“Jam i lumtur për golin tim të dytë në këtë sezon dhe shpresoj të mos ndalem, – ka vijuar Idrizaj. – Gjithashtu më gëzon dhe fakti që shënoi dhe Bishaj. Dua t’i uroj shumë suksese në vazhdim. Ambienti beratas e njeh, pasi ka luajtur dhe një sezon tjetër në Berat dhe ia dinë vlerat që ka”. Ndërkohë shënuesi i golit të tretë ka qenë kapiteni Gersi Arbëri, teksa ia ka dedikuar golin djalit.
“Për mua kishte një domethënie të veçantë fitorja e kësaj ndeshje, sepse ia kisha premtuar djalit për ditëlindje. Jemi në festë, por s’duhet të na rrëmbejë euforia, sepse rezultate pozitive duhen marrë edhe në ndeshjet e tjera”, – ka përfunduar veterani i futbollit beratas.