AlbanianSport.com 05.12.2014 19:50
ASNN – Largohet Memushi, lojtarët protestojnë për rrogat. Trajneri i Tomorit në vazhdim të kampionatit do të jetë përsëri Madrid Muzhaj. Futbollistët beratas nuk kanë dalë dje në stërvitje, shefi i klubit Kuqi: “Jam me tifozët”. Por në të njëjtën kohë, në të kundërt të mendimit me shefin e klubit Kuqi, ka qenë kapiteni Gersi Arbëri, i cili, i cituar nga shtypi sportiv i ditës, ka deklaruar: “Përsa i përket rrogës mujore kjo është bërë rrugë nga drejtuesit e ekipit, e cila mbahet me pretekstin të mos impenjimit të lojtarëve në fushë në ndeshjen e fundit”.
“Por kjo ka ndodhur dhe kur kemi pasur rezultate dhe kemi arritur objektivat, – ka vijuar ai. – Impenjimi jonë ka qenë maksimal përderisa ne çdo ditë kemi qenë në stërvitje dhe kemi hyrë në fushën e lojës në ndeshje. Është aluduar për tolerim në përballjen tonë me Naftëtarin. Por deri më tani as nuk është vërtetuar një akuzë e tij dhe as ka për t’u vërtetuar asnjëherë ky problem. Nëse ka tolerime, apo shitje të ndeshjes, të vërtetur kjo me fakte, atëherë unë jam palë me drejtuesit e klubit që dikush duhet ta pësojë. Dhe nuk ka kuptim që bashkë me të njomin të digjet dhe i thati.”
“Kjo sepse kemi familje për të ushqyer dhe këto lekë i nxjerrim me gjak, – ka theksuar kapiteni i ekipit beratas. – Dhe nuk është e drejtë që të na mbahen. Ndaj ne kemi kaluar në këtë veprim ekstrem të bojkotimit të stërvitjes dhe nëse do të jetë e nevojshme nuk do të jemi të shtunën as në përballjen me Lushnjën në transfertë. I kemi kërkuar falje tifozerisë për këtë lloj dobësie në fushën e lojës, por kush është profesionist e kupton që në botën e futbollit ka dhe humbje. Por kjo nuk do të thotë që ne nuk kemi mbajtur përgjegjësi.”