AlbanianSport.com 09.11.2014 19:05
ASNN – Pas ndeshjes së mbyllur në barazim 1-1, midis Tomorit dhe Bylisit, ka ardhur një deklaratë e klubit beratas, që thekson se “qjyqtarët na kanë kthyer në “autoshkollë”…!”
“Jemi totalisht të zhgënjyer nga mënyra se si bëhet arbitrimi këtu në Berat, – shkruhet në këtë deklaratë. – Çdo javë kemi të bëjmë me gjyqtarë amatorë, të cilët duken sikur vijnë për t’u praktikuar në Berat.”
“Përsëri një javë punë e hedhur poshtë për shkak të mënyrës së gjykimit, – vijon klubi beratas. – I kërkojmë FSHF-së ta shikoj me kujdes këtë çështje duke vendosur gjyqtarë profesionistë në këtë fushë.”
“Dollapët të ndodhur në dhomën e miqve janë shkatërruar nga futbollistët e Bylisit, ndërsa ata kanë aktivizuar dhe lojtarë me numra të ndryshëm në protokoll”, – ka përfunduar deklarata e klubit beratas.
Ndërsa trajneri i Tomorit, Eqerem Memushi, duke folur pas ndeshjes, ka deklaruar: “Pashë futbollistët që ishin të tensionuar për shkak se ndeshjet në shtëpi për ne kanë presionin që duhen fituar”.
“Kemi krijuar volum, por sërish nuk kemi finalizuar. Për sa i përket golit kam rezervat e mia dhe pres ta shoh edhe një herë në TV. Por mendoj se ishte një gol i rregullt”, – ka përfunduar vlonjati i pankinës beratase.