AlbanianSport.com 21.10.2014 20:45
ASNN – Fitorja ndaj Luftëtarit ka rikthyer entuziazmin në kampin beratas, të cilët ishin në dyshim pas humbjes së thellë në Sarandë, 0-4 ndaj Butrintit vendës. Tomori tashmë është vetëm një pikë larg kreut të renditjes pas tre ndeshjes. Serinë e golave në këtë supersfidë të grupit të jugut e ka hapur vlonjati Alvaro Bishaj, i rikthyer për të dytën herë në Berat. Bishaj po tregohet një pikë referimi, jo vetëm në mbrojtje, por edhe duke dhënë ndihmën e vet me golat e shënuar.
I cituar nga shtypi sportiv i ditës, Bishaj tregon mbi rikthimin në Berat, ndeshjen ndaj Luftëtarit, por edhe synimet e tij në të ardhmen duke mos harruar të flasë edhe për skuadrën e tij të vendlindjes, Flamurtarin. “E kam thënë gjithnjë se Berati është bërë shtëpia ime e dytë, ndaj nuk ishte aspak e vështirë që unë të zgjidhja këtë skuadër për këtë sezon, – ka deklaruar ai. – Kam shënuar golin e parë për këtë sezon dhe dua t’ia dedikoj familjes time.”
“Dhe më shumë më bën të lumtur fakti që ky gol na dha edhe një fitore të rëndësishme, – ka vijuar futbollisti vlonjate i beratasve. – Skuadra tregoj një formë shumë të mirë dhe se e kaloi menjëherë atë moment të vështirë pas humbjes në Sarandë, që ishte e tepruar dhe e papritur në ato shifra. Tashmë ajo ndeshje është e kaluar dhe mund ta quaj vetëm një ëndërr të keqe dhe asgjë më shumë. Tani kemi lënë pas krahëve, jo vetëm atë humbje, por edhe fitoren e bukur dhe të merituar ndaj Luftëtarit.”
“Vëmendja jonë është tek ndeshja e radhës me Sopotin, – ka theksuar Bishaj. – Synimi ynë do të jetë që ndeshjet t’i marrim njëra pas tjetrës, duke parë gjithmonë nga takimi i radhës, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të shkuar larg. Mendoj se skuadra jonë është grupi më i mirë i kësaj kategorie, ndaj mund të synojmë lart. Përsa i përket objektivave të mia personale, dëshiroj që pas këtij sezoni të rikthehem në Kategorinë Superiore me një ekip cilësor dhe pse jo kjo skuadër të jetë Tomori.”
“Por ndërkohë nuk kam si të mos shpreh keqardhjen për skuadrën time të vendlindjes, Flamurtarin. Dua t’i uroj stafit dhe futbollistëve që ta kalojnë sa më shpejtë këtë moment jo të mirë dhe të kthehen tek sukseset”, – ka përfunduar futbollisti vlonjat i Tomorit, Alvaro Bishaj.