AlbanianSport.com 10/03/2021 21:25
ASNN – Merr 93 nga 94 votat e mundshme në ditën e parë të Asamblesë së 137-të. Tomas Bah është rizgjedhur pa kundërshtar si president i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) në ditën e parë Sesionit të 137-të të Asamblesë së Përgjithshme të organizmit që qeveris lëvizjen olimpike botërore. “Shumë faleminderit nga thellësia e zemrës për këtë votëbesim të pashoq”, – ka deklaruar ai pas rizgjedhjes.
“Për mua kjo është edhe më e fuqishme, duke patur parasysh reformat e shumta dhe vendimet e shumta të vështira që është dashur të marrim dhe që na kanë prekur të gjithëve, – vijoi gjermani. – Dhe sot unë dua të frymëzoj një diskutim nëse sloganit tonë olimpik “më shpejt, më lart, më fort”, t’i shtojmë edhe fjalën “së bashku”. Juristi 67-vjeçar mori 93 vota nga 94 të mundshme, duke siguruar edhe mandatin e tij të dytë dhe të fundit.
Çka nënkupton se ai do ta mbajë këtë post edhe për 4 vite të tjera, deri në 2025-ën. Tomas Bah u bë në 2013-ën presidenti i IOC-së, pas zëvendësoi Zhak Rogun në zgjedhjet e mbajtura në Buenos Aires. Ai do të nisë mandatin e tij të dytë pas përfundimit të Lojërave të shtyra Olimpke “Tokio 2020”, më 8 gusht 2021. Bahu u bë anëtar i IOC-së në 1991-shin, në moshën 37-vjeçare, ndërsa 5 vite më vonë u zgjodh anëtar i Bordit të tij Ekzekutiv dhe shërbeu për mëse 10 vjet si zv/president përpara se të merrte detyrën e presidentit.