AlbanianSport.com 18.04.2015 17:55
ASNN – Pas vizitave të ngjeshura që kishte delegacioni i Komitetit Olimpik Ndërkombëtarë (IOC), me në krye me presidentin Tomas Bah, ky i fundit sot në mesdite u është drejtuar gazetarëve të shumtë në një konferencë shtypi të mbajtur në Prishtinë. Kreu i IOC-së tha se është i lumtur që vizitoi Kosovën, e sipas tij, vendimi i organizmit që ai drejton për pranimin e KOK-ut në gjirin e lëvizjes olimpike botërore, ishte i drejtë. Ai tha se vizita delegacionit të IOC-së ishte për t’i uruar mirëseardhje Kosovës në këtë organizëm. Bahu theksoi se gjatë takimeve të shumta që ka zhvilluar në Kosovë, duke u nisur nga presidenca e deri tek fëmijët, tregon ndjenjën e kosovarëve me sportet olimpike.
“Është kënaqësi që vizitoj Komitetin Olimpik të Kosovës dhe jam një president shumë i lumtur i Komitetit Olimpik Ndërkombëtarë, meqë më këtë vizitë edhe një herë u binda se kanë përfunduar me sukses të gjitha përpjekjet e gjata për të inkuadruar Komitetin Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, – ka deklaruar ai. – Vizita këtu ka të bëjë që t’i shprehë mirëseardhjen Kosovës në lëvizjen botërore të olimpike. Duke pasur takime shumë të suksesshme dhe dua të falënderoj institucionet shtetërore, dhe me pas jemi takuar me disa prej sportistëve më të mirë që ka Kosova, duke mos harruar asnjëherë atë që përfaqëson të ardhmen dhe sportin e Kosovës e që janë sportistët e rinj.”
Ai tha se vizita e tij kishte edhe një karakter tjetër, e sipas tij, qëllimi kësaj vizitë ishte që të shikohet nga afër që çfarë mund të bëhet për të ardhmen e sportit të Kosovës. Njeriu që ka bërë shumë që Komitetit Olimpik i Kosovës tani është anëtare e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, pohoi se IOC-ja është i interesuar që “fëmija” i lindur në dhjetorin e vitit të kaluar të rritet sa më shpjet dhe sa më mirë. “Pikërisht kjo lidhje që ekziston mes kosovarëve dhe lëvizjes olimpike është dëshmia më e mirë që Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, ka marrë vendimin e duhur duke pranuar Komitetin Olimpik të Kosovës në radhët e veta, – ka thënë ai. – Qëllimi i vizitës nuk ka qenë vetëm festiv, por ka pasur edhe synim që të shihet se çfarë mund të bëhet për të ardhmen e sportit të Kosovës.
“Për shkak që kur ka lindur “fëmija” më i ri i familjes olimpike në dhjetor të 2014, të gjithë ne jemi të interesuar që të shohim këtë “fëmijë” duke u rritur sa më shpejtë dhe sa më mirë”, – theksoi Bahu.
Ai është i bindur se sportin e Kosovës e pret një e ardhme e ndritur. Bahu shpreson se sportistët e Kosovës do të jenë të gatshëm dhe do të përfaqësojnë vendin në mënyrën më të mirë të mundshme në “Rio 2016”. Bah premtoi se nëse një sportist i Kosovës do të fitojë medalje në “Rio 2016”, do të bëjë çmos që medaljen do t’ia dorëzojë sportistit ai vetë.