AlbanianSport.com 23/03/2019 16:20
ASNN – Organizatorët e Olimpiadës “Tokio 2020”, kanë zbuluar pishtarin e Lojërave, i cili do të jetë në formë lule qershie. Pjesa e lartë e pishtarit është formuar me stemën tradicionale të “sakurës”, ose lulëzimin e qershisë duke përdorur të njëjtën teknologji të përparuar si në prodhimin e trenave japoneze, thanë organizatorët.
Pishtari me shkëlqim ari, i cili është 71 centimetra i gjatë dhe peshon 1,2 kilogramë, është bërë me pjesët e mbetura të aluminit, i cili u përdor si strehim i përkohshëm për të pastrehët e tërmetit dhe cunamit të vitit 2011. “Për lulen e qershisë më kanë frymëzuar fëmijët në zonën e goditur nga fatkeqësitë (në Fukushima)”, – u tha gazetarëve projektuesi Tokuxhin Joshioka, veprat e të cilit njihen ndërkombëtarisht.
Fukushima u zgjodh si pikënisje për rrugë olimpike të pishtarit. Kalimi i flakës është planifikuar të fillojë më 26 mars 2020 dhe pishtari do të shkojë drejt jugut në ishullin tropikal të Okinauas, që ishte edhe pikënisja për Lojërat “Tokio 1964”, para se të kthehen në veri dhe të mbërrijnë në kryeqytetin japonez, më 10 korrik.
Japonia i ka cilësuar Lojërat Olimpike, “Olimpiada e Rindërtimit” dhe kërkon të rimëkëmbet në rajonet e shkatërruara nga fatkeqësia.