AlbanianSport.com 10/03/2020 20:45
ASNN – Lajmi i dhënë nga Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Tomas Bah, se Lojrëat Olimpike Tokio 2020, do të zhvillohen, ka bërë që autoritetet vendore, të vazhdojnë me zbatimin e planit të përcaktuar më parë. Kështu organizatorët e Tokios, nëpërmjet Kreut të Komitetit Organizativ të Olimpiadës, kanë thënë se do të vazhdohet me udhëtimin e pishtarit olimpik. Nisja e tij është parashikuar për t’u bërë në 26 mars 2020 nga Fukushima, e më pas do të kalojë në të 47 prefekturat e Japonisë.
Por, për banorët e Fukushimës, Lojërat Olimpike nuk janë arsye për të gëzuar. Edhe pse qeveria japoneze e ka cilësuar nisjen e pishtarit nga Fukushima me moton “Olimpiada e Rindërtimit”, jo të gjithë në rajon do të bëjnë tifo. Zona e shkatërruar nga cunami i vitit 2011 dhe që u pasua fatkeqësinë bërthamore, mbetet thellësisht e prekur nga kriza, me dhjetëra mijëra njerëz që ende jetojnë larg nga shtëpitë e tyre, për shkak të problemeve.
“Duke e nisur pishtarin olimpik nga Fukushima, më duket një përpjekje e qeverisë për të mbuluar aksidentin bërthamor. Me pak fjalë, stafeta e pishtarit që fillon nga këtu është poshtërues për ne”, – thotë Ruiko Muto, një aktiviste lokale. “Në prefekturën e Fukushimës, kemi akoma shumë probleme që nuk janë zgjidhur, siç janë uji i ndotur, toka e ndotur, kanceri i tiroides mes fëmijëve, kompensimet dhe evakuuesit që tani po detyrohen të lënë shtëpitë e tyre (të subvencionuara), – ka vijuar ajo.
“Me këto çështje që ende nuk janë zgjidhur, ne nuk jemi në një situatë për të pritur Olimpiadën. Unë nuk mendoj se ka shumë njerëz që mund ta shijojnë vërtet lojën”, – ka përfunduar aktivistja japoneze. Ndërkaq, qeveria japoneze, për të minimizuar rrezikun e përhapjes së koronavirusit, ka menduar që ceremonia e nisjes së pishtarit të ndiqet nga publiku nëpërmjet televizorit dhe jo nga mjediset publike. Nisja e Lojërave Olimpike do të jetë në 24 korrik e do të përfundojë në 9 gusht, për një periudhë 3-javore.